Si u mor vesh që janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit? Ministrja Haxhiu ndan detaje

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka bërë të ditur se janë zhdukur mostrat e gjakut të ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, mostra këto që po mbaheshin në Institutin Mjekoligjor të Kosovës.
Në konferencën për media, Haxhiu ka bërë të ditur edhe se si është zbuluar zhdukja e mostrave të Deharit.

“Ne besojmë se ky rast i rëndë e kriminal që ka ndodhur në ambiente që do të duhej të ishin të sigurta dhe të mbrojtura, ka një motiv si më herët. Të dëmtojë edhe më tej dhe përfundimisht këtë proces dhe të tentojë të na veshë neve me përgjegjësi”, ka thënë Haxhiu.

Ministrja ka bërë të ditur se ky veprim është vërejtur dje.

“Ky akt i rëndë është vërejtur dje, gjatë bartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në ata të rinj, por jam e bindur se ka qenë çështje kohe që ata që e kanë orkestruar do ta plasonin si një veprim dëmtues të procesit në përgjithësi”, ka thënë Haxhiu.

Në fund, ministrja ka bërë të ditur se për ngjarjen janë informuar edhe u.d i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe Kyreprokurori i Shtetit të cilët sipas saj kanë nisur menjëherë ndërmarrjen e veprimeve.