Lista Serbe: Deputetët tanë bllokuan synimet e Kurtit për shfuqizimin e komunave serbe

Lista Serbe ka thënë se nëntë deputetët e saj që dhanë sot betimin në Kuvendin e Kosovës, këtë veprim e kanë bërë për të pamundësuar “shfuqizimin e komunave serbe” përmes ndryshimeve kushtetuese.
Në reagimin e kësaj partie, thuhet se synimi i kryeministrit Albin Kurti dhe politikanes serbe të Kosovës, Rada Trajkoviq, “por edhe i të tjerëve si ajo”, ishte që të votoheshin ndryshimet kushtetuese përmes deputetëve tjerë serbë “të cilat do të çonin në shfuqizimin e komunave serbe, marrjen e pronave nga Kisha Ortodokse Serbe, heqjen e gjuhës serbe, të drejtën e përfaqësimit në institucione etj”.
“Sot në Kuvendin e Prishtinës nëntë përfaqësues të Listës Serbe verifikuan teknikisht mandatet e tyre duke i mbajtur në duar të sigurta dhe menjëherë u larguan nga seanca e Kuvendit. Vendimi i sotëm strategjik pengoi drejtpërdrejti realizimin e planit të Albin Kurtit dhe bashkëkombësve të tij serbë për ndryshimin e kushtetutës dhe ligjeve që garantojnë të drejtat e popullit serb në Kosovë dhe Metohi”, u tha në reagimin e këtij subjekti politik.

Ky vendim strategjik dhe politik, siç thotë kjo parti, “në asnjë mënyrë nuk do të ndalojë procesin e largimit nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës dhe Metohisë, me çka mbyllen të gjitha institucionet e Kosovës në atë territor dhe si përgjigje ndaj shkeljes së marrëveshjes së Brukselit, keqtrajtimi i popullit serb dhe shkelja e të gjitha të drejtave të njeriut”.

“Në fund duam të theksojmë se qëllimi ynë është të mbrojmë popullin tonë, paqen dhe sigurinë, por edhe të mos lejojmë Kurtin dhe Rada Trajkoviqin t’i presin rrobat popullit serb dhe të vendosin për jetën tonë”, përfundoi reagimi i kësaj partie.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, nëntë deputetë të Listës Serbe dhanë betimin. Pas betimit, të njëjtit menjëherë lëshuan sallën.