Kurti: Nuk e kam shkarkuar ministrin Latifi, vazhdoj komunikimin me të

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se Rifat Latifi ka dhënë vetë dorëheqje nga pozita e të parit të Shëndetësisë dhe se ai nuk e ka shkarkuar.
Në një konferencë për media pas takimit që pati me të parin e Gjilanit, Alban Hyseni, Kurti e ka falënderuar Latifin për punën dhe angazhimin që ka treguar për kohën se ka qenë ministër i Shëndetësisë.

“Ai nuk ka kursyer as dijen, as përvojën dhe as kontaktet ndërkombëtare. Për dhjetë muaj, ka bërë krejt çfarë ka mundur, mirëpo ai nuk është një person që nuk reflekton edhe mbi punën e vet, dhe ai ka thënë që me situatën me të cilën ballafaqohet me kapacitetet që ekzistojnë kaq mund të bëjmë”,tha ai.

Kurti shtoi se Rifat Latifi është një akademik, e profesionalist i shkëlqyer.

“Pra, ju e dini që doktor Rifat Latifi është një akademik, profesionalisht i shkëlqyeshëm dhe ka vlerë të madhe edhe në akademitë perëndimore, jo vetëm tek ne. Andaj, unë do të vazhdojë komunikimin dhe bashkëpunimin me të, por jo në këtë detyrë me vullnetin e tij, pra nuk ekziston asnjë projekt që ai ka nisur e që ne do ta ndalim, dhe nuk ekziston asnjë një punë që ai ka nisur dhe ne nuk do ta vazhdojmë”, shtoi Kurti.