Musliu Kurtit: Në cilën shkollë ndjek mësimet vajza juaj

Sot në seancën e parë të Kuvendit për sesionin vjeshtor deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, ka folur edhe për grevën në arsim, duke thënë se tentimi që grevës t’i jepet karakter politik është përpjekje për ta mbuluar paaftësinë e Kurtit e Nagavcit.

“Sado që tentohet të ndërpritet zinxhiri i solidaritetit me grevistët, kjo nuk do të ketë sukses. Mbështes grevistët dhe u bëj thirrje të gjithë punëmarrësve në Kosovë, të sektorit publik dhe të atij privat, që të mos tolerojnë degradimin e të drejtave dhe dinjitetit të tyre, njëjtë sikurse i bëj thirrje kryeministrit që të ulet dhe të bëjë zgjidhje bashkë me ta”, u shpreh ajo.

Madje ajo pyeti kryeministrin Kurti se në cilën shkollë ndjek mësimet vajza e tij

Ajo më tej ka thënë se shumica e anëtarëve të kabinetit të Kurtit i kanë fëmijët e tyre në shkolla jopublike, prandaj sipas saj nuk e kuptojnë domosdoshmërinë e reformave në arsim.

“E para, sa prej anëtarëve të kabinetit të Albin Kurtit i çojnë fëmijët e tyre në shkollat publike, sepse vetëm ata e kuptojnë domosdoshmërinë e reformave për cilësi në arsim, e cilësia nuk arrihet duke i nëpërkëmbur e poshtëruar mësimdhënësit, por duke biseduar me ta për të gjetur zgjidhjen më të mirë. Dhe pyetja ime dytë është për Kryeministrin, në cilën shkollë ndjek mësimet vajza jote?”, ka thënë ajo.