Zhvillimet Kosovë-Serbi: Blinken nuk do të hezitojë të angazhohet drejtpërdrejt në bisedime

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, ka folur për rrugën përpara në bisedimet Serbi-Kosovë duke thënë se sekretari Blinken nuk do të “ngurrojë” të angazhohet drejtpërdrejt në bisedë me presidentin serb Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Kurti.
I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të angazhuara në dialogun Kosovë-Serbi, Price, ka thënë se SHBA-të janë thellësisht të angazhuara në këtë proces, raporton The Pavlovic Today

“Ne jemi të angazhuar në këtë. Ne kemi qenë thellësisht të angazhuar si vëzhgues në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ashtu siç thashë javën e kaluar, mirëkuptimi ynë është se bisedimet janë në vazhdim. Ne jemi duke shikuar. Ne po e bëjmë këtë në partneritet me BE-në dhe po inkurajojmë të dyja palët që ta përdorin dialogun në mënyrë efektive”, ka thënë ai.

Tutje zëdhënësi ka shtuar se është detyrë e të dy palëve që ta shfrytëzojnë mundësinë për ta çuar dialogun përpara.

“Është një dialog që ne e mbështesim shumë dhe mendojmë se është detyrë e të dyja palëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi në masën më të plotë për të çuar përpara diskutimet e tyre mbi marrëdhëniet e normalizuara, të përqendruara edhe në njohjen reciproke”, ka vijuar tutje ai.

Price ka deklaruar se vizita e Escobar në Kosovë është për të mbështetur dialogun mes të dy vendeve.

“Mund të them gjithashtu se Escobar po udhëton në Prishtinë dhe në Beograd për të mbështetur dialogun, për të vazhduar të tregojmë interesimin dhe angazhimin tonë të nivelit të lartë për këtë çështje. Ai udhëtoi, natyrisht, në Bruksel javën e kaluar dhe së shpejti do të udhëtojë në Prishtinë dhe Beograd për të vazhduar mbështetjen tonë për dialogun”, është shprehur zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

I pyetur konkretisht rreth mundësisë që Sekretari i Shtetit i SHBa-ve, Antony Blinken, të përfshihet në dialog, Price ka thënë se Blinken nuk heziton të bëhet pjesë e këtij procesi.

“Nëse mendojmë se angazhimi i Sekretarit nëpërmjet telefonit ose personalisht është përbërësi i domosdoshëm për të arritur diçka të tillë në vijën e finishit, Sekretari Blinken nuk heziton të marrë telefonin dhe të bëjë ato biseda”, ka përfunduar Price.