Seminari i Gjuhës po vlerësohet i suksesshëm nga drejtuesit e tij

Mbi 150 pjesëmarrës nga shtete të ndryshme të botës po marrin pjesë në edicionin e 40-të të Seminarit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

Drejtori i Seminarit, Shkumbin Munishi, në një përgjigjeje për Radio Kosovën tha se ky edicion është duke shkuar mirë, ku po organizohen aktivitete të shumta dhe se i ka dhënë një gjallëri jo vetëm qytetit të Prishtinës, por gjithë Kosovës.

“Seminari i Gjuhës dhe Letërsisë është duke shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme me përplot aktivitete. Mund të themi që është një edicion jashtëzakonisht i suksesshëm me një pjesëmarrje të madhe nga shumë vende të botës dhe seminari në këtë kohë ia ka dhënë një gjallëri jo vetëm qytetit të Prishtinës, po krejt Kosovës”, tha Munishi.

Po ashtu, ai tha se për këtë edicion jubilar janë bërë përpjekje të shumta që të ketë numër më të madh të pjesëmarrëseve dhe ligjëratave.

“Ne kemi bërë përpjekje që ky edicion të jetë më i gjallë, pasi është edicion jubilar dhe njëkohësisht është një edicion që vjen pas dy viteve të vështira si pasojë e pandemisë, andaj, kemi bërë përpjekje që të kemi një numër më të madh të seminaristëve, ligjëratave dhe referimeve”, tha ai.

Se për këtë seminar ka interesim dhe pjesëmarrësit janë të kënaqur me ligjëratat që po ofron e thotë në një përgjigje për Radio Kosovën njëra ndër pjesëmarrëset e Seminarit, Ana Zinger, e cila vjen nga Republika Çeke.

“Kjo është ardhja ime e katërt në Kosovë, por e para në seminar. Jam fillestare në gjuhën shqipe. Më pëlqen seminari sepse jam e interesuar në gjuhë dhe në gjuhësi në përgjithësi. Gjuha shqipe është një gjuhë shumë interesante dhe e veçantë. Pra, jam shumë e lumtur të jem këtu dhe të marrë pjesë në seminar. Jam këtu për të mësuar diçka për Kosovën, për gjuhën shqipe dhe të takojë njerëz të ri”, tha Ana Zinger.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Ky seminar organizohet për studiues e studentë që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht. Edicioni i 40-të i Seminarit të Gjuhës ka filluar më 15 gusht dhe do të zgjasë deri më 26 gusht.