Eksperti gjerman: Nëse Kosova anëtarësohet në NATO, Serbia s’do të detyrohej ta njohë atë

Nëse Kosova anëtarësohet në Aleancën Veri-Atlantike (NATO) atëherë Serbia nuk do kishte më nevojë ta njohë zyrtarisht atë.

Kështu të paktën ka deklaruar eksperti gjerman për Ballkanin Perëndimor, Konrad Kleving, pasi sipas tij ndryshe nga NATO, Bashkimi Evropian nuk ofron një sistem sigurie për anëtarët e tij.

Eksperti gjerman më tej potencon se KFOR-i i cili është produkt i rezolutës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 nuk parasheh mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Kosovës.

“Duhet të bëhen përpjekje për të gjetur një zgjidhje vërtet të thellë dhe të qëndrueshme për nevojat e sigurisë kombëtare të Kosovës, dhe këtë mund ta shoh vetëm në perspektivat që jep anëtarësimi i Kosovës në NATO”, ka thënë Kleving për mediumin gjerman DW.

Sipas tij dialogun i lehtësuar nga BE-ja nuk është platforma e duhur për zgjidhjen e përhershme të mosmarrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Me hyrjen në NATO, Kosova do të kishte garanci sigurie në raport me Serbinë. Sipas këtij supozimi, nuk do të ishte më e nevojshme që Serbia ta njohë zyrtarisht Kosovën. Nëse Serbisë dhe rajonit do t’i ofrohej një perspektivë e ndershme e BE-së, nuk mendoj se do të ishte në interesin serb të kishte një angazhim të qartë ndaj Rusisë”, ka shtuar ai.