Vendimi i qeverisë për aplikimin e reciprocitetit me Serbinë krijoi një situatë të tensionuar në veri të vendit – me serbët që bllokuan rrugët e kalimit dhe Policinë e Kosovë që hasi në të shtëna armësh në drejtim të tyre.
Në këto rrethana të paqarta konflikti dhe në klimën e rrezikshme ballkanike, gjendja dukej ashpërsisht e tendosur. Duhej një ndërhyrje e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili fillimisht duke i dhënë përkrahje përpjekjeve të Kosovës për të vënë reciprocitetin, kërkoi që zbatimi i vendimit të shtyhej për 30 ditë.
Rreth kësaj kërkese reflektoi kryeministri Kurti, duke shtyrë zbatimin e vendimit sipas kërkesës së ambasadorit Hovenier.
Porse, zbatimi i këtij vendimi mbetet prapë në mjegulli dhe pyetjet të shumta ngriten për të.
Në vështrimin e studiuesit të politikës, Dorajet Imeri, më e rëndësishme se çfarë do të ndodhë gjatë këtij muaji është se çfarë ndodhi nëpërmjet atij aksioni – fillimi i një faze të re të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo është çështje teknike se çfarë do të ndodhë tash e tutje, por është shumë e rëndësishme se çka ka ndodhur paraprakisht. Mendoj se ka qenë një aksion i koordinuar paraprakisht, konsideroj që ka qenë i planifikuar më herët për të filluar një fazë të re të raporteve Kosovë-Serbi, në të cilën reciprociteti do të jetë parimi fundamental i cili do të përcaktojë pastaj edhe procesin vijues të këtij raporti,” – ka deklaruar Dorajet Imeri
Me tepër se tërheqja e Kosovës nga ai aksion në veri, sipas Imerit, për t’u shquar është tanimë konfirmimi i përkrahjes ndërkombëtare për vendosjen e raporteve reciproke Kosovë-Serbi.
“Çka është e rëndësishme është që ShBA edhe mund ta ketë nxjerr nga situata e disfavorshme Kosovën për një moment, por e rëndësishme është që është rikonfirmuar e drejta e saj, tashmë edhe me përkrahje ndërkombëtare për të qenë reciproke në raportet me Serbinë,” – vazhdoi më tutje Imeri fjalën e tij.
Porse, në pikëpamje të Imerit, nga ana e Serbisë nuk pritet ndonjë ndryshim brenda këtij muaji.
“Konsideroj se mund të ketë një takim urgjent gjatë këtij muaji, në mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti, në mënyrë që të harmonizohen proceset e mëtejshme, por nuk besoj që Serbia të jetë e gatshme që të ndërtojë një raport reciprociteti me Kosovën, duke ditur që reciprociteti paraqet parimin fundamental në mes të të barabartëve. Duke qenë se Serbia nuk e sheh si të barabartë Kosovën, mendoj se do të hezitojë edhe pas një muaji për zbatimin e një marrëveshje të tillë,” – përfundoi shpjegimin e tij Imeri.
BBC / BBC për tensionet në veri: Kosova shtyen reciprocitetin
Ndërsa gjendjen krejtësisht ndryshe e vlerëson analistja Zana Avdiu, e cila pohon se rasti e të dielës mbrëma, duhet të shërbejë si mësim për qeverinë e Kosovës.
“Rasti i të dielës duhet të jetë mësim për qeverinë. Vendimet e tilla, për implementimin e të cilave duhet Njësia Speciale, çdoherë duhet të jenë fillimisht në koordinim me Shtetet aleate të Kosovës. Sepse, veriu është pika më e nxehtë, dhe lehtësisht mund të përshkallëzohet situata atje, dhe të na çojë krejtësisht në ndonjë realitet tjetër, prej të cilit Kosova do të mund të humbte shumë,” – deklaroi Avdiu
Më tutje, Avdiu fton për më tepër koordinim në mes politikë-bërësve të Kosovës, dhe shteteve aleate, në mënyrë që së mos dështojmë në procese të rëndësishme.
“Është dëshmuar edhe në të kaluarën se vetëm në dialog dhe bashkëpunim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare e sidomos Amerikën, Kosova e ka përfunduar suksesshëm secilin proces. Kosova nuk duhet të marrë vendime të ngutshme dhe pastaj pa e arritë qëllimin të tërhiqet pa fituar asgjë. Tërheqja e vendimit pas tërheqjes se barrikadave nuk është fitore por humbje e Kosovës”, përfundoi Avdiu fjalën e saj për Nacionale.
Kujtojmë se ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla është shprehur në një emision televiziv se Kosova do të bëjë fushatë vetëdijësuese te serbët e Kosovës për çështjen e respektimit të vendimeve për reciprocitet që tash pritet të hyjnë në fuqi më 1 shtator.