Nisin hetimet ndaj policit që plagosi vrasësin 30-vjeçar në Ferizaj

Policia e Kosovës, ka njoftuar se sot në orët e para të mëngjesit është vrarë një person i moshës 30 vjeçare, në Ferizaj.

Po ashtu është bërë e ditur se, njësiti policor me të dalë në vendin e ngjarjes kanë vërejtur të dyshuarin me armë zjarri në dorë, të cilit i kanë bërë thirrje që të ndalet, por që i dyshuari nuk i ka përfillur urdhrat e policisë. E ku me këtë rast, njëri nga zyrtarët policor, duke reaguar në vetëmbrojtje ka qëlluar në drejtim të te dyshuarit, duke e plagosur.

“Afër vendit të ngjarjes, një njësi e policisë me automjet zyrtar civil dhe pjesëtarë të policisë me rroba civile, në detyrë zyrtare, kanë vërjetur të dyshuarin me armë zjarri në dorë dhe kanë filluar fillimisht me urdhëra verbal ” ndal policia” që të ndalet, por i dyshuari nuk ka përfillur urdhërat e policisë. I dyshuari me pistoletë në dorë, dyshohet që, në një moment i kthehet zyrtarëve policor dhe njeri zyrtar policor, për ta shmangur rrezikun e drejtpërdrejt ndaj tij, kolegut të tij dhe të tjerëve përreth, e përdor armën e zjarrit zyrtare , me një shkrepje në drejtim të të dyshuarit . I dyshuari, menjëherë dërgohet për ndihmë mjekësore në Qendrën Emegjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor dërgohet në në QKUK – Prishtinë dhe sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia i ka marrë masat për sigurinë e tij”, bëhet e ditur në njoftimin e PK-së.

Tutje, shtohet se, në lidhje me këtë rast është njoftuar edhe Prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt dhe IPK-ja, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Kësisoj, lidhur me veprimet e zyrtarit policor, do të marrin vendim Prokurori i rastit së bashku me IPK-në. Ndërsa për veprimet tjera hetimor lidhur me vrasjen, Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj.