Funksionalizohen pikëkalimet e përbashkëta në Merdarë dhe Mutivodë

EULEX ka bërë të ditur se janë bërë funksionale pikat e përbashkëta kufitare në Merdarë dhe Mutivodë, funksionalizimi i plotë i të cilave pritet ta zvogëlojë ndjeshëm kohën e pritjes për pasagjerët, duke bërë një ndryshim në jetën e të gjithë qytetarëve që i shfrytëzojnë ato.

Përmes një postimi në Facebook, EULEX, e sheh këtë gjë si një hap pozitiv.

“Ky është një përparim pozitiv në drejtim të zbatimit të Protokollit Teknik për MIK të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Më 21 mars 2022 pala e Beogradit u vendos në objektet e reja në Mutivodë, kurse më 14 mars autoritetet serbe hapën me sukses të dyja anët në Merdarë” thuhet në reagim.

Njoftimi i plotë:

Pikëkalimet e përbashkëta në Merdarë dhe Mutivodë tani janë plotësisht funksionale!

Ky është një përparim pozitiv në drejtim të zbatimit të Protokollit Teknik për MIK të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Më 21 mars 2022 pala e Beogradit u vendos në objektet e reja në Mutivodë, kurse më 14 mars autoritetet serbe hapën me sukses të dyja anët në Merdarë.

Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor (PSBE-DBP) e lehtësoi vendimin për funksionalizimin e plotë të dy PKP-ve, ndërsa Njësia për Mbështetjen e Dialogut aktualisht nën drejtimin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë ( EULEX) ka ndihmuar në bashkërendimin e procesit të tranzicionit në të dy PKP-të, funksionalizimi i plotë i të cilave pritet ta zvogëlojë ndjeshëm kohën e pritjes për pasagjerët, duke bërë një ndryshim në jetën e të gjithë qytetarëve që i përdorin ato.

Autoritetet e Kosovës u vendosën në PKP-në në Merdarë në tetor 2018 dhe në PKP-në në Mutivodë në korrik 2019.