Monday, May 20, 2024
Home SPORT Kongjeli në përkrahje të Agim Ademit: Ka lakmi për kërrigën e të...

Kongjeli në përkrahje të Agim Ademit: Ka lakmi për kërrigën e të parit të FFK-së

Njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të ish-presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri, Fekmi Kongjeli nëpërmjet një letre ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në shtëpinë e futbollit kosovar. Në këtë letër ai i ka ofruar mbështetje të plotë presidentit aktual, Agim Ademi, duke e vlerësuar si njeriun e ndërtimit dhe zhvillimit të futbollit kosovar, teksa ata që tashmë janë ngritur me akuza kundër kreut FFK-së, ai i ka vlerësuar si shantazhues dhe pengues të zhvillimit të futbollit për qëllime të errëta personale.

Letra e plotë e Fekmi Kongjelit:

Agim Ademi njeriu i ndërtimit dhe i zhvillimit të futbollit

Kam qenë në mbështetje të ish-presidentit Fadil Vokrri që nga dita e parë, pasi që vizion kryesor kishte pranimin e FFK-së në UEFA e FIFA. Tani jam në mbështetje të Agim Ademit, pasi ai si vizion ka ndërtimin dhe zhvillimin e futbollit të Kosovës. Njëherësht gjatë gjithë rrugëtimit për lobim ishte njeriu më i afërt i Fadil Vokrrit, njëhërësh edhe nënkryetar i parë i FFK-së. I vlerësoj pa masë organet legjitime të FFK-së, delegatët dhe klubet që janë mirënjohëse dhe vlerësuese të punës dhe të arriturave të FFK-së deri më tash.

Bota në përgjithësi dhe Kosova në veçanti kaluan dy vite shumë të rënda me Covid 19. Përveç kësaj të keqe, FFK u sulmua vazhdimisht nga individë me qëllime të errta e personale, individ që fatkeqësisht u krijohet hapësirë edhe në studio televizive për të sharë e penguar, për të dezinformuar e shantazhuar. Dhe po të njëjtit njerëz me tërë forcën kanë qenë jo vetëm kritikues por edhe pengues në rrugëtimin tonë drejt ndërkombëtarizimit. Mos të harrojmë pasi që jetojmë në botën e teknologjisë dhe me një klikim të vetëm mundemi ta shohim se në çfarë pengesa ka kaluar i ndjeri Fadil Vokrri dhe FFK duke u manipuluar njëjtë si tani me të pavërteta e shantazhe, e në të shumten e rasteve me çështje personale.

Megjithatë, që të dy, si Vokrri ashtu edhe Ademi, i tejkaluan të gjitha këto barriera të liga. I pari arriti me përkrahjen e shumicës absolute të anëtarësoi Kosovën në UEFA dhe FIFA, ndërsa i dyti që ishte bashkëpuntori më i afërt i të parit, arriti po ashtu për 4 vite mandat të bëjë mrekulli në futbollin e Kosovës, po ashtu me përkrahjen e shumicës absolute. Por si mos t’i gëzohemi  në radhë të parë zhvillimit të kampionatit dhe aktivitetetit të Kombëtares me të gjitha grupmoshat dhe të dy gjinitë në kushtet e Covid 19, kur të gjitha këto u vlerësuan nga faktori ndërkombëtar si organizim që duhet respektuar.

Po si mundem mos ta vlerësoj përkrahjen dhe ndihmën e klubeve dhe qëndrimin afer secilit klub nga ana e presidentit Ademi gjatë gjithë mandatit tij. Tani kemi një seli moderne të FFK-së të ndërtuar gjatë këtij mandati, ku punohet me krenari dhe identitet, e ku priten e përcjellën edhe vizitues ndërkombëtar që mbetën gojëhapur me kushtet që janë krijuar në krahasim me të kaluarën jo të largët. Gjatë këtij mandati 4-vjeçar kemi edhe stadiumin “Fadil Vokrri” të kompletuar me të gjitha kushtet dhe standardet moderne. Kemi Kampin stërvitor në Hajvali me standarte evropiane për të gjitha grupmoshat e ekipeve kombëtareve.

Pra, gjatë katër vjetëve të kaluara dora e FFK-së ka prekur në çdo cep të Kosovës në infrastrukturë e ku do vazhdojë në 4 vitet e ardhshme ta përmbyllë komplet infrastrukturën. VAR-i një befasi për shumë shtete të zhvilluara u soll në Kosovë pa zhurmë por me përkushtim dhe staf të organizuar. Mos harroni gjatë këtij mandati të presidentit Ademi ndodhi kjo dhe bashkë me këtë ndodhi edhe ndihma e klubeve me katapultat GPS, që kanë për lakmi edhe shump klube madje edhe evropiane, e që është teknologjia e fundit në ndihmë trajnerëve për gjendjen dhe statistikat e lojtarëve.

Kur kësaj i shtohet pastaj trajnimi dhe avancimi i të gjitha strukturave të FFK-së dhe aktivitetet e shumta me të cilat krijohet mirëqenie për mijëra njerëz të përfshirë rreth futbollit pa dyshim duhet përgëzuar punën e bërë. Edhe bizneset po ashtu përfitojnë në forma të ndryshme duke ju falënderuar aktiviteteve të FFK-së, por njëkohësisht përfiton edhe shteti i Kosovës në imazh dhe taksa. E kur kësaj t’i shtohet kësaj që presidenti i tashëm e i ardhshëm ka arritur me punën e vet dhe të stafit t’i ketë afër vetës sponzorë të shumtë e të respektuar që ndihmojnë në ndërtimin dhe zhvillimin e FFK-së.

Këto 4 vite është punuar intensivisht në kontakte dhe organizime për zbulimin dhe identifikimin e lojtarëve të të gjitha grupmoshave që luajnë në Evropë. FFK është furnizuar vazhdimisht me lojtarë të të gjitha grupmoshave dhe nuk ka federatë në glob që kontakton dhe kujdeset për komunitetin e vet se sa FFK. Merita kryesore është e presidentit aktual, i cili edhe gëzon një autoritet të jashtëzakonshëm tek diaspora shqiptare për përkujdesjen e vazhdueshme që ai tregon.

Në fund nga gjitha këto të arritura e që nuk u përmendën të gjitha është shumë e natyrshme edhe përkrahja nga dy institucionet kryesore, UEFA dhe FIFA, por në veçanti respekti nga shumë federata që janë shndrruar në simotra të FFK-së. DFB një nga federatat që ka qenë vulë e pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA e përcjellë situatën nga afër dhe vazhdon mbështetjen e vazhdueshme për FFK-në fal këtyre rezultateve që u përmenden.

Por, është e dhimbshme që disa njerëz që me vite kanë krijuar karrierë dhe përfitime në FFK, duke mbajtur edhe nga dy-tre vende tjera të punës tani shesin moral dhe demantojnë veten e tyre vetëm e vetëm të krijojnë huti në opinion dhe atë për pazare të errta. I gjithë ky yrysh e ka një emër lakmia për karrigën e të parit të futbollit kosovar pa asnjë normë morale dhe njerëzore. Por të tillëve mund t’u bëhet vetëm një pyetje e thjeshtë; Ku ishit më herët të nderuar? Më herët publikisht thurnit lëvdata publike për kryetarin e mirë të cilin e zgjodhët vet. Dhe cilës duhet tani ne t’i besojmë, asaj që e thonit deri më tani apo kësaj tani!

Sidoqoftë, jam i bindur se zërat e tillë nuk do të arrijnë të dalin pengesë për presidentin Ademi as kësaj radhe, teksa ne do të vazhdojmë të ju mbështesim fuqishëm për krenarinë që na ofroni.

Me respekt,

Fekmi Kongjeli, përfaqësues i FFK-së në Gjermani