Osmani kërkon nga organet e sigurisë që Gjergj Dedajt t’i ndalohet hyrja në objektin e Kuvendit

Presidentja Vjosa Osmani dhe ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, nuk po gjejnë paqe ndërmjet vete.

Ditë më parë, ish-ambasadori Dedaj është denoncuar nga presidentja Vjosa Osmani për kërcënim publik.

Pas denoncimit, presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga Policia e Kosovës që ish-ambasadorit Dedaj t’i ndalohet hyrja në objektin e Kuvendit të Kosovës ku gjendet edhe Presidenca e Kosovës.

Redaksia jonë e ka mësuar këtë nga burime brenda Policisë së Kosovës.

Hyrja i është ndaluar edhe bashkëpunëtorit të Dedajt, Lindon Kçirës.

Sherret mes tyre kanë nisur që prej shkarkimit të Dedajt nga pozita e ambasadorit. Pas shkarkimit të tij, si ushtrues detyre në këtë ambasadë është vënë bashkëshorti i presidentes Osmani, Prindon Sadriu.

Dedaj kishte thënë se shkarkimi i tij lidhet me vendosjen e Sadriut në pozitën e zëvendësshefit në mision.

“Bashkëshorti i presidentes Osmani ka qenë atje diplomat i një rangu të ulët edhe i tillë është edhe tash dhe i tillë ka me qenë gjithmonë sepse nuk i ka para dispozicionet për të qenë lider dhe një diplomat çfarë i duhet shtetit të Kosovës. Me shkarkimin tim pas një jave menjëherë ai është ngarkuar me punë si udhëheqës i Ambasadës në Shkup. Nuk asgjë kundër në parim, por mënyra e shkarkimit tim dhe këta disa kanë ardhur në pushtet me 14 shkurt gjoja duke e luftuar nepotizmin, familjarizimin a në fakt po e bëjnë të kundërtën”, ka thënë ai.