Miftaraj: Marrëveshja finale Kosovë – Serbi, prioritet i ambasadorit të ri amerikan

Drejtori ekzekutiv në organizatën Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD). Ehat Miftaraj, në një intervistë

ka folur për emërimin e ambasadorit amerikan në Kosovë, duke theksuar se është njeri me përvojë të gjatë në rajon.

Tutje, Miftaraj tha se presidenti amerikan Joe Biden në kuadër të politikës së tij të jashtme e ka për synim arritjen e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por ai thotë se prioritet i Jeff Hovenierit do të jenë edhe sundimi i ligjit e zhvillimi ekonomik.

“E para, është lajm i mirë që SHBA-ja ka emëruar për ambasador një person, i cili ka një përvojë të gjatë në rajon dhe ka informata të dorës së parë lidhur me fillet në kohën kur është shpallur pavarësia e Kosovës.

Ka qenë aktor në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë në Vjenë, kështu që e ka një vazhdimësi të asaj se ku ka qenë Kosova dhe ku është edhe sot. Në anën tjetër, është fakt që presidenti Biden në kuadër të politikës së tij të jashtme hyn në zgjedhje përfundimtare jo vetëm sa i përket statusit të Kosovës, marrëveshjes finale me Serbinë, por një konsolidim të rajonit ku hyn edhe Bosnjë e Hercegovina.

Me vetë faktin që administrata ‘Biden’ ka emëruar pozitat e ambasadorëve në vendet kyçe personat të cilët kanë një trashëgimi lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në rajonin e Ballkanin Perëndimor së paku nga viti 2002 e këndej.

…sigurisht që është një lajm i mirë që këta ambasadorë do ta kenë prioritet në radhë të parë marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke mos harruar asnjëherë fushat që janë të rëndësishme për Kosovën ku ambasadori përmendi sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës”, tha Miftaraj.

Hovenieri u emërua në këtë post nga presidenti Joe Biden në korrik 2021 dhe u konfirmua unanimisht nga Senati i SHBA-së më 18 nëntor.

Pjesa më e madhe e karrierës së tij është fokusuar në çështje të sigurisë në Evropë dhe Euroazi.

Përpara se të emërohej në rolin e tij të ri si ambasador, Hovenieri shërbeu si zëvendësshef i misionit në Ambasadën e SHBA-së në Ankara. Përveç Kosovës dhe Turqisë, Hovenieri ka shërbyer edhe në Gjermani, Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai, Peru, Serbi dhe Mal të Zi.