Kurti socialdemokrat i opozitës që s’e ndan shtetin me tregun dhe Kurti kryeministër që shfajëson Qeverinë për rritjen e çmimeve

Në Kosovë, çmimet janë ngritur, por Qeveria s’po e zë vetën aspak fajtore për këtë, madje tërthorazi po refuzon të marrë përgjegjësi për një rritje të tillë. Kryeministri Kurti është deklaruar lidhur me këtë çështje, por ka thënë se Qeveria nuk duhet të fajësohet. Pak më ndryshe Kurti mendonte në vitin 2018, kur në festën e 1 majit, shkruante për parime të socialdemokratisë e ndërlidhshmërisë së tregut me shtetin.

Në vitin 2018, Kurti më 1 maj, kishte postuar 10 teza, e njëra prej tyre fliste për raportin e trefishtë të ekonomisë dhe shoqërisë, punës dhe kapitalit dhe midis shtetit dhe tregut. Ai thoshte se janë më shumë të varura sesa të ndashme nga njëra-tjetra, madje çështjet politike dhe çështjet sociale thoshte se nuk duhet të ndahen, pasi bëhen probleme të pazgjidhshme.

7. Tri raportet themelore, ai midis shoqërisë dhe ekonomisë, midis punës dhe kapitalit si dhe midis shtetit dhe tregut, janë më shumë të varura sesa të ndashme nga njëra-tjetra. Çështjet sociale dhe çështjet politike porsa të ndahen nga njëri-tjetra bëhen probleme të pazgjidhshme. Socialdemokracia shpjegon dhe ushqen lidhjen midis sociales dhe politikës, midis mirëqenies dhe demokracisë. Socialdemokracia është demokraci. Demokracia është socialdemokraci.“, shkruante Kurti aso kohe.

Por në një postim të tij në Facebook lidhur me rritjen e çmimeve që u bë gjatë ditës së djeshme, Kurti tha se po trumbeton një fushatë për rritje çmimesh ku po tentohet të fajësohet qeveria për këtë, duke aluduar kështu në një ngarje të Qeverisë nga tregu.

Kurti vazhdon argumentimin e tij më tutje se rritja e çmimeve varet nga tregjet globale, duke thënë gjithashtu se pararendësit e tij në pushtet nuk e kanë pasur brengë bukën.

“Kosova, sikurse e gjithë bota, i është ekspozuar një inflacioni që kryesisht vie si rezultat i katër faktorëve: shkëputjes së zinxhirit të furnizimeve për shkak të pandemisë, rikthimit të konsumit global më shpejt sesa që mund të përshtatej prodhimi i cili gjatë pandemisë ishte stopuar, rritja në nivel global e çmimit të energjisë dhe spekulantët e ndryshëm që bëhen profiterë të krizave. Shkalla e inflacionit sipas Agjencisë së Statistikave në fund të muajit shtator ishte 4.9%, gjë që është në linjë me ngritjen globale të çmimeve për disa produkte. Mirëpo, ditëve të fundit jemi dëshmitarë të një fushate e cila trumbeton çdo ditë për rritje çmimesh dhe tenton të fajësojë Qeverinë për këtë.”, tha ai.

Lidhur me këtë çështje Kurti është deklaruar edhe sot në mbledhjen e qeverisë ku ka thënë se fushata që ka për qëllim fajësimin e qeverisë mund të rrisë manipulimet, por si duket ka harruar tezën e tij për pashkëputshmërinë e çështjeve politike dhe sociale e gjithashtu ndërlidhshmërinë e tregut me shtetin.

“Rritja e çmimit të energjisë nxiti edhe çmimin e vajit dhe produkteve tjera. Fushata që në qendër ka fajësimin e qeverisë për efekt mund të ketë vec shtrimin e terrenit për manipuluesit për rritjen e çmimit duke përkeqësuar kështu situatën dhe të nxis nervozë, frikë dhe panik tek qytetarët si konsumatorë. Kërkoj nga qytetarët të ruani qetësinë dhe durimin teksa po punojmë që të kemi një pako masash që do t’iu vijnë në ndihmë të tejkaloni vështirësitë financiare që ju keni”, ka thënë Kurti.

Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore ka mllefosur qytetarët të cilët kanë thënë se për të ardhurat në Kosovë, çmimet janë të papërballueshme. Ata gjithashtu i kanë bërë thirrje qeverisë të mendojë për qytetarët dhe të dijë se përse i ka marrë votat.