Qeveria Kurti ua zgjat orarin klubeve të natës

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim sot për rishikimin e masave kundër koronavirusit në vend.

Në vendim bëhet e ditur se është rritur orari i klubeve të natës, të cilat lejohen të hapura deri në orën 03:00.

Ndërkaq, dasmat dhe ahengjet tjera lejohen deri në orën 01:00.

Mirëpo, në vendim të MSH-së thuhet se klientët në klube të natës, apo në dasma, ahengje familjare dhe të tjera, duhet të kenë më vete disa dëshmi.

MSH me këtë rast bën të ditur nga data 20 gusht 2021 deri me datë 10 shtator 2021, hyrja në ambientet e klubeve të natës, diskotekave dhe ambientet ku mbahen ahengjet (dasma, fejesa, ahengje familjare, etj.), grumbullimet, tubimet masive (festivale, koncerte, etj.), të cilat kanë kapacitet mbi 100 persona, si dhe organizimi i këtyre aktiviteteve, lejohet vetëm nëse klientët/pjesëmarrësit posedojnë një nga dëshmitë e mëposhtme:

Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19;

Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë;

Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve;

Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.