Jeton prej 19 vitesh në Zvicër, por flet me krenari për origjinën e saj nga Kosova. Mjekja Besa Zenelaj, e cila tashmë ka hapur klinikën e saj në Gjenevë dhe në sallën e pritjes mban diplomën e parë të mjekësisë nga Kosova.
“Unë nuk kam për ta hequr kurrë prej andej. Jam krenare që jam zvicerane, jam krenare për origjinën time”, shprehet mjekja Zenelaj, në një rrëfim tejet emocionues që nga nisja e luftës në Kosovë, vuajtjet në kampin e refugjatëve në Gjermani dhe deri te integrimi i plotë në shoqërinë zvicerane.
Gjatë një interviste, Zenelaj tregon vështirësitë me të cilat iu desh të përballej pas mbërritjes në Zvicër në vitin 2003, si studente në vitin e katërt për mjekësi.
Historia e saj fillon në Kosovë, në vitet e komunizmit. E lindur në vitin 1976, në një familje modeste, ku arsimimi ishte një përparësi, Besa rrëfen një moment prekës kur u vendos që të ndalohej gjuha shqipe dhe për të përfunduar studimet duhej të ndryshoje emrin dhe mbiemrin dhe të firmosje sikur ishe serb për të vazhduar shkollimin në serbisht, raporton ATSh.
“Kur ndodhi shtypja totale e Kosovës nga Milosheviçi, u vendos që të ndalohej shkolla në gjuhën shqipe. Historia e zakonshme e çdo fëmije dhe adoleshenti u shndërrua në një histori krejt tjetër, shumë më e trishtuar dhe me më shumë sakrifica. Në vitin e dytë të gjimnazit, kur së bashku me nxënësit e tjerë u mblodhëm para shkollës, ajo ishte e rrethuar nga policia. Për të hyrë në shkollë duhej të ndryshoje emrin dhe mbiemrin dhe të firmosje sikur ishe serb dhe ta vazhdoje shkollimin në serbisht. Padyshim, nuk e bëmë. Situata degjeneroi në dhunë. Pati shumë protesta. Së fundmi, mbetëm në shtëpi, pa shkollë”, tregon mjekja Zenelaj.
Më pas, rrëfen Besa, qeveria paralele, me Presidentin tonë Ibrahim Rugova, nisëm shkollat paralele, ilegale.
“Unë nisa vitin e dytë në Shkencat e Natyrës, nëpër dhoma shtëpish private, mjaft modeste, në një fshat aty pranë. Shkonim në mënyrë ilegale në shkollë, sikur të ishim kriminelë. Me vetëm një fletore të vogël në xhep, të fshehur mirë. Vinte të na mësonte profesoresha jonë. Ajo punonte pa rrogë. Aty ku mësova biologjinë, kiminë, matematikën e lëndë të tjera. Përfundova gjimnazin dhe më pas nisa studimet në Fakultetin e Mjekësisë”, tregon ajo.
Duke rrëfyer momentet e para të nisjes së luftës në Kosovë, Zenelaj tregon se si së bashku me banorët e kryeqytetit, kishte përfunduar në stacionin e trenit të Prishtinës, të shoqëruar nga policia, drejt një kampi refugjatësh në kufirin maqedonas.
“Kjo ndodhi në vitin 1998. Nëse do të përpiqesha të flisja për atë udhëtim me tren, nuk mendoj se do t’ia dilja mbanë. Sepse është diçka, që edhe sot e kësaj dite, ka çaste që sikur truri im refuzon të mendojë e reflektojë për atë, sikur fjalët më bllokohen. Në atë kamp, pashë profesorët e mi, miqtë e mi, të gjithë ne ishim si kafshë, të parespektuar. Atje kalova dy javë kështu, në Bllacë. Sot është një fushë e gjelbër, e mrekullueshme. E pashë para katër vitesh. Sigurisht, më kujtohen imazhet e kohës së tendave të improvizuara, të urisë. Më pas, Maqedonia e Veriut u detyrua të hapte kufijtë, përndryshe mund bombardohej edhe Shkupi”, deklaron ajo.
Më tej, Zenelaj tregon edhe për udhëtimin e parë me grupin e refugjatëve drejt Gjermanisë, një tjetër kalvar vuajtjesh dhe vështirësish më të cilat iu desh të përballej pasi kishte ndryshuar edhe mbiemrin në Besa Kastrati.
“Me vete, unë kisha foto të familjes sime, librin e nxënësit dhe kartën e identitetit. Por, kur mbërritëm në aeroport, nuk kishim më as emër e as mbiemër, vetëm një numër. Më vunë një vulë, si të gjithë të tjerëve. Nuk kishte më një identitet, gjë prej gjëje”, shprehet Zenelaj duke theksuar se “emërtimin “refugjat lufte” nuk e duroja më dot”, shprehet ajo.
Numri në dorën dhe imazhet e fundit të Kosovës duke u djegur, të qarat e të zhvendosurve dhe refugjatëve nëpër kampe, ishin momentet që Besa nuk i heq dot nga mëndja.
Pas një kthimi të shkurtër në Kosovë, asaj iu dha mundësia për të studiuar në Zvicër.
“Më thanë: ‘Mirëserdhe në Universitetin e Gjenevës!’. Kështu fillova vitin e katërt të studimeve për mjekësi. Dhe e mbarova. Nuk ishte e lehtë. M’u desh të mësoja frëngjishten, komunikimin, shumë gjëra të tjera dhe të gjitha shumë shpejt. Por nuk ka gjë të pamundur. Kur e duam një gjë, mund t’ia dalim mbanë”, shprehet ajo.
Mjekja nuk harron të theksojë paragjykimet më të cilat u përball gjatë gjithë periudhës së parë të qëndrimit në Gjenevë, që kulmuan në momentin që do të merrte licencën e mjekes. “Gjatë një vlerësimi zyrtar, një nga eprorët e mi në atë kohë, më tha: “Nuk e kuptoj, pse nuk kthehesh tani në Kosovë. Sepse ne nuk duam të të mësojmë më. Duam të mësojmë dikë tjetër”. Më pas mora vesh se kishin dërguar një letër në Zyrën e kantonit për Popullsinë për të thënë: “Doktoresha Zenelaj është zotuar me shkrim se do të largohet nga Zvicra në momentin që do të marrë licencën e saj si specialiste”. Kjo ishte diçka e paligjshme”, thekson ajo.
“Është e vërtetë që kam një karakter të fortë. Agresive? Kurrë nuk e kam shkelur atë që më ndihmon. Jam zotuar të jem ajo poliglotja e vogël në shërbim. Shpesh kam përkthyer për persona të ardhur nga Ballkani, kam punuar me orë shtesë dhe nuk i kam deklaruar. Deri këtu, gjithçka në rregull. Më kanë përgëzuar. Por përveç kësaj, nuk na lejojnë të përparojmë. Dhe çfarë bëjmë ne? Të kërkojmë llogari apo të pranojmë sistemin? A ka zgjedhje të tjera? Ka gjithmonë zgjedhje”, nënvizon mjekja.
Ndërsa ndalet edhe te momentet e vështira të punës së saj të përditshme, Zenelaj thekson se “është njësoj sikur të të thonë, ti ke këtë origjinë, nuk do ta marrësh këtë vend pune. Kjo çështja e origjinës është edhe sot e kësaj dite. Kësaj i shtohet, fatkeqësisht, edhe gjinia, fakti që jemi gra”.
“Sigurisht, diploma e parë e mjekësisë, që është në sallën e pritjes, është nga Kosova. Unë nuk kam për ta hequr kurrë prej andej. Jam krenare për origjinën time. Jam krenare që jam zvicerane, jam krenare për origjinën time. Për një kohë të gjatë, kam qenë në rrezik për t’u vrarë nga serbët ngaqë jam shqiptare nga Kosova, jam e lindur në Kosovë. Shpesh kam mundur t’ia mbath dhe madje edhe jam rrahur nga policia serbe”, tregon mjekja Zenelaj.
Ajo thotë se “edhe sot ka pacientë që vijnë dhe më thonë: E dini çfarë? Dua të më kuroni sa më mirë. A me të vërtetë jeni nga Kosova? Sepse jeni shumë e bardhë”.
Në përballje me paragjykimet, Zenelaj thotë se me kalimin e kohës mësohesh. Megjithatë, Zvicra është një vend që ua jep mundësinë atyre që duan të ecin përpara, ta jep mundësinë për të përparuar dhe për t’u formuar. Unë mendoj se mund t’ia dalësh mbanë dhe Zvicra mund të bëhet atdheu yt, sikurse u bë për mua Gjeneva, qyteti im, që e adhuroj”.