Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi Miroslav Lajçak ka uruar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për ardhjen e tij në krye të ekzekutivit.
Lajçak në letrën e tij ka thënë se është i bindur që përvoja e Kurtit do t’i shtohet si vlerë institucioneve të Kosovës.
Tutje, pjesa kryesore e letrës së Lajçak i dedikohet dialogut Kosovë – Serbi që Kurti e ka radhitur në deklarimet e tij si prioritet të gjashtë apo të shtatë.
Emisari Special i BE-së pret nga Kurti të punohet në marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme midis Kosovës dhe Serbisë.
Ai është zotuar t’i mbështesë palët për t’i vazhduar pa vonesa takimet në kuadër të dialogut.
“Vazhdimi i Dialogut do të na mundësojë të bëjmë progres i cili do të sjellë dobi për të dy palët në vitet që vijnë. Mezi pres të ju takoj në Bruksel, posa situata të na lejojë, dhe të diskutojmë personalisht për punën tonë të përbashkët që na pret.”, shkruan Lajçak.
Kjo është letra e plotë:
I nderuar Kryeministër,
Dua t’ju uroj për emërimin tuaj si Kryeministër i Kosovës dhe ju dëshiroj shumë suksese në këtë post të ri. Jam i bindur që udhëheqësia juaj dhe përvoja juaj e gjatë politike do t’i shtojnë vlerë institucioneve në Kosovë.
Në cilësinë time si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, shpresoj të punojmë së bashku drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Unë zotohem vendosmërisht që do t’i mbështes të dy palët për t’i vazhduar pa vonesa takimet në kuadër të Dialogut me Beogradin, të lehtësuar nga BE-ja. Vazhdimi i Dialogut do të na mundësojë të bëjmë progres i cili do të sjellë dobi për të dy palët në vitet që vijnë. Mezi pres të ju takoj në Bruksel, posa situata të na lejojë, dhe të diskutojmë personalisht për punën tonë të përbashkët që na pret.