Presidenti Agim Ademi priti ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj

Presidenti Agim Ademi, priti sot në takim ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj.

Ambasadori Çobaj e përgëzoi presidentin Ademi për punën dhe përkushtimin e tij ndaj futbollit, duke finalizuar shumë projekte infrastrukturore dhe të tjera. Ai gjithashtu përgëzoi Kombëtaren e Kosovës për përkushtimin dhe i dëshiroi suksese të mëdha në kualifikimet për Euro 2024.

Si një futsallist profesionist dhe pasionant i futbollit, ambasadori Çobaj ofroi mbështetje dhe gatishmëri për të bashkëpunuar në zhvillimin e futbollit në Kosovë. Ai njoftoi se shumë ekipe kosovare rregullisht përgatiten në Mal të Zi, veçanërisht në Ulqin, ku ka shumë resorte me kushte të mira për ekipet e futbollit për të zhvilluar stërvitje.

Presidenti Ademi e falënderoi ambasadorin Çobaj për vizitën, interesin dhe mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në aspektin sportiv.