“I falënderohem të gjithë atyre që kanë lejuar tokat e tyre (tokat pjellore) që të shndërrohen në fusha të futbollit dhe të gjithë donatorët që kanë qenë vullnet mirë, bizneset private qofte edhe biznesi më i vogël, janë solidarizuar me futbollin dhe sportin, duke i bërë rezistencë okupatorit serb”, tha Ademi për gazetën kombëtare “Bota sot”.“Ali Latifi, është njeriu që bëri aktet normative. Një jurist, karateist dhe gjyqtar i gjyqit, njeri shembullor e kombëtar”, thotë Ademi.
Është bërë më shumë se punë në vitet e 90-ta (1991-1999) në organizimin e garave të Republikës së Kosovës, po ashtu një rezistencë e fuqishme kundër regjimit serb!
Vera e vitit 1991, një verë tropikale si gjithmonë nga klima ballkanike, por edhe më e nxehtë nga tensionet politike dhe në vitet e shpërthimit të luftës në Kroaci dhe pastaj edhe në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa Kosova u okupua nga të gjitha anët me arsenalin me të rëndë ushtarak e paraushtarak të pushtuesit serb.
Sportistët shqiptarë si kurrë më unik, të gjithë ishin në gjendje të vdesin për njërin tjetrin dhe vepruan një zëri: Kurrë më në garat ish jugosllave dhe me klubet serbe. Gjithçka mori fund me 10 gusht, Prishtina zhvilloi ndeshjen e fundit në Shkup kundër Ballkan Stokokomercit dhe fitoi me rezultat 2:1 me golat e Ergin Ajdinoviqit. Pas kësaj nuk i zhvilloi takimet me Rudarin në Prijedor dhe as me Mogrenin e Budvës në Prishtinë në kuadër të Ligës së Dytë Federative të ish Jugosllavisë, gjithçka mori fund!
Kombëtarja e Kosovës në vitin 1993 në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë
Sportistët tanë në të gjitha degë sportive ndahen me sportet ish jugosllave dhe serbe, kjo e elektrizoi fort regjimin serb, që besa në atë vit edhe krimineli Arkani zbarkon në Prishtinë, një këlysh i kryekasapit Sllobodan Millosheviq, turren në të gjitha anët e Kosovës, uzurpuan stadiumet dhe palestrat sportive dhe dëbuan sportistët shqiptarë në rrugë, madje disa edhe i sulmuan, i arrestuan dhe i morën në bisedë informative, vetëm pse luanin në Kampionatin e Republikës së Kosovës!
Kjo ishte fytyra kriminale e Serbisë. Populli shqiptar i Kosovës në luftë në të gjitha sferat me agresorin serb. Agim Ademi, ish futbollist, veprimtar i shquar dhe një trim që se kishte shoqin në ato vite, së bashku me shumë veprimtarë, trajnerë, donatorë, futbollistë, vëzhgues, gjyqtarë etj. morën vendimin e madh: Nga shtatori të startojë Kampionati i Pavarur i Republikës së Kosovës, ku ndeshja e parë luhet me 13 shtator (ashtu është e regjistruar edhe zyrtarisht në faqen e FFK-së) mes Flamurtarit dhe Prishtinës, triumfuan “flamurtarët” me rezultat 3:2.
Foto e viteve të 90-ta në Dumnicë, Agim Ademi, Fehmi Agani dhe Xhemajl Mustafa
Agim Ademi i takon Gjeneratës së Republikës! Ai ka qenë president i klubit të futbollit Kosova e Prishtinës në vitet e 90-ta, një klub aq mirë i organizuar dhe që shumë ia kishin lakmi, garonte në Grupin e Prishtinës fyt për fyti me Prishtinën, Flamurtarin, Llapin, 2 Korrikun, Ramiz Sadikun, Elektroekonominë etj.
Ademi ishte halë në sy për regjimin kriminal serb, për bandat serbe sepse krahas që merrej me veprimtari sportive përkatësisht të futbollit, ai ishte edhe veprimtar i devotshëm i çështjes kombëtare! Ademi sot është president i Federatës së Futbollit të Kosovës, kur i kujton ato kohëra, për një moment ndalet dhe merr frymë thellë, emocionohet deri në pikën e fundit, duke i përmendur një nga një trimat e asaj kohe që kishin pozita si Agim Bytyqi, president i FFK-së, Sejdi Mërkoja, sekretar i përgjithshëm i FFK-së, Ali Latifi, që i bëri aktet normative sportive, Agim Kasapolli, Rexhep Abdullahu (kryetar i FFK-së 1993-2000), Mazllum Belegu, Ismajl Kasumin (kryetar i Federatës së Sporteve të Kosovës), e shumë e shumë figura tjera, që dhanë gjithçka për sportin dhe shtetin e Kosovës.
Rexhep Abdullahu, Ramë Buja dhe Agim Ademi në vitet e 90-ta
Agim Ademi, si president i institucionit më të madh në vend, po përgatitet për kremten e madhe, 30 vjetorin, 3 dekadat e mëvetësimit të futbollit nga ai serb dhe ish jugosllav.
“I falënderohem të gjithë atyre që kanë lejuar tokat e tyre (tokat pjellore) që të shndërrohen në fusha të futbollit dhe të gjithë donatorët që kanë qenë vullnet mirë, bizneset private qofte edhe biznesi më i vogël, janë solidarizuar me futbollin dhe sportin, duke i bërë rezistencë okupatorit serb”, tha Ademi për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Ademi tha se tri segmentet e shtetësisë së Kosovës ishin arsimi, shëndetësia dhe sporti.
“Më vjen keq që sot në 30 vjetorin e festës së pavarësimit të futbollit disa nuk janë në këtë botë, që ka qenë periudha me e lavdishme që ka ndodhur në Kosovë, askund në botë nuk ka ndodhur me u organizua liga siç e kemi organizuar në fusha të improvizuara dhe në ato rrethana më rregulla të UEFA-së dhe FIFA-së, i kemi respektuar kalendarin e tyre, kemi nxjerr kampionin edhe pse nuk kemi shkuar askund për rrethana siç dihet dhe janë të njohura të viteve të 90-ta”, tha më tej.
“Në ato rrethana dhe kushte të rënda, Kosova e rrethuar nga okupatori serb, kemi organizuar ekipin kombëtar me trajnerin e parë të emëruar Ajet Shosholli, me kryetar Agim Bytyqi, e shumë të tjerë, kanë bërë punë të jashtëzakonshme. Bile në UEFA kur iu kemi treguar për ecurinë e proceseve që kemi kaluar në vitet e 90-ta, janë mahnitur dhe habitur, sidomos për pengesat dhe represionit që kemi pasur nga Serbia”, theksoi Ademi. Nuk i harron as gazetarët që dhanë shumë as fotoreporterët si Gani Kosumi dhe Hazi Reka, që vepruan në kushte jetë a vdekje.
“Do ta festojmë këtë vit jubilar – 30 vjetorin. Ne si federatë, Këshill organizativ, do t’i ftojmë të gjithë ata njerëz, sponsorë e donatorë, futbollistë, trajnerët, kryetarë të klubeve të asaj kohe, gjyqtarë, vëzhguesit, gjithë veprimtarët sportivë, do të nderohen dhe të jemi bashkë”, nënvizoi Ademi. Një emër që nuk e harron e që bëri shumë, padyshim është Ali Latifi, prej të parëve që kundërshtoi regjimin serb. “Ali Latifi, është njeriu që bëri aktet normative. Një jurist, karateist dhe gjyqtar i gjyqit, njeri shembullor e kombëtar”, thotë Ademi. Krejt në fund, Ademi ka një kërkesë për shtetin e Kosovës.
“Kërkoj nga organet e tashmi të shtetit që t’i njihet statusi gjithë sportistëve të asaj kohe, të viteve të 90-ta. Nuk po kërkoj as më shumë e as me pak, vetëm t’u njihen statusi që e meritojnë”.