Mbyllet për publikun seanca në të cilën dy zyrtarë policorë dhe të tjerët po akuzohen për rrëmbim

Është mbajtur seanca me të cilën kërkohet të caktohet paraburgimi ndaj zyrtarëve policor Visar Kërqeli dhe Besjan Neziri, të cilët prokuroria i akuzon se kanë kryer veprën penale të rrëmbimit.

Paraburgim prokuroria kërkon t’i caktohet edhe M. I., Valon Kiqinës dhe Flamur Sopit për veprën e njejtë penale, pra atë të rrëmbimit.

Me qëllim që të ruhet dinjiteti dhe të mos cenohet interesi i të pandehurve, avokati Gazmend Halili propozoi që kjo seancë të mbyllet për publikun.

“Prokuroria në këtë çështje konsideron se ka prova me të cilat mund të cenohet dinjiteti i të pandehurve dhe bashkë me të edhe i të dëmtuarve, ndaj propozoj që seanca të jetë e mbyllur për publikun”, tha avokati Gazmend Halili.

Sipas tij, lejimi i publikut nuk i shërben kësaj seance, por i njëjti shkakton dëme të pariparueshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në rrethana të tilla, gjykatësi Agim Ademi ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit duke e mbyllur kështu seancën dëgjimore dhe duke përjashtuar publikun.

Betimi për Drejtësi ka siguruar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit në të cilën thuhet se Prokuroria Themelore në Gjilan më 18 shkurt 2021 ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve Visar Kërqeli, M. I., Besjan Neziri, Valon Kiqina dhe Flamur Sopi sepse ekziston dyshimi i bazuar mirë se të njëjtit mes 16 dhe 17 shkurtit 2021, te villat e restaurantit “Gërsheta”, në fshatin Makresh, Komuna e Novobërdës, të pandehurit me dashje direkte, me qëllim që mos t’i lejojnë deri sa të nxjerrin para, ose ndonjë dobi tjetër pasurore nga të dëmtuarit ose me qëllim që t’i detyrojnë ata apo personin tjetër që të kryej apo të mos kryej një veprim të tillë, kanë marrë dhe mbajtë të dëmtuarit Z. R. dhe A. A. nën kërcënimin e armëve.

Tutje, sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit thuhet se nga 16 shkurti 2021, në ora 22:00 deri më 17 shkurt 2021 në ora 14:00, të pandehurit i kanë zhveshur të dëmtuarit, i kanë prangosur me pranga të plastikës duke ua plasuar video familjarëve të të dëmtuarve, ashtu që, bashkërisht dhe në koordinim me të pandehurit, duke ndarë rolet dhe detyrat e tyre, e pandehura M. josh të dëmtuarin Z. me qëllim të përfitimit material, ashtu që të pandehurit ua kanë marrë të dëmtuarve portofolet, ku të dëmtuarit A. ia kanë marrë 100 euro, 100 franga dhe 4000 denarë të Republikës së Maqedonisë, kurse të dëmtuarit Z. ia kanë marrë 40 euro.

Sipas aktakuzës, të dëmtuarit gjatë kësaj periudhe kohore kanë qenë të mbyllur, me duar të prangosura, të kërcënuar, duke i goditur me shuplaka dhe kondak të revoles në kokë, ata kanë përjetuar shqetësim dhe ankth të madh nën kërcënimin e armëve, ashtu që pas intervenimit të zyrtarëve policor në Gjilan, të pandehurit identifikohen dhe arrestohen.

Me këto veprime, ata dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “rrëmbimi”, nga neni 191 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.