Autoritetet serbe në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë arrestuan kanë arrestuar të premten ish-ushtarin e UÇK-së, Hasan Dakaj nga Prizreni, e që sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) nuk ishte arrestimi i parë dhe sigurisht as edhe i fundit i ushtarëve të UÇK- së.
Sipas KMDLNJ, para katër vjetëve ishte arrestuar, po me këtë pretekst edhe Nezir Mehmetaj, i cili ende mbahet në burgjet e Serbisë.
“Për shkak të mungesës së bashkëpunimit me Serbinë, autoritetet kosovare nuk kanë mundësi të sigurojnë mbrojtje efektive juridike e as të monitorojnë trajtimin e tyre gjatë mbajtjes në arrest, qoftë në paraburgim, qoftë gjatë vuajtjes së dënimit. Autoritetet kosovare, në pamundësi të sigurojnë përkrahje për të arrestuarit, shqiptarë dhe shtetas të Kosovës, mjaftohen me deklarata publike politike duke kërkuar ndihmë nga ndërkombëtarët”.
“Autoritetet kosovare duhet të kërkojnë nga ndërkombëtarët, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq të vizitojë të arrestuarit, shtetas të Kosovës nëse iu respektohen të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria”.
“Nëse sigurohen kushtet, KMDLNj është i gatshëm në çdo kohë të vizitojë të arrestuarit, shtetas të Kosovës që mbahen në burgjet e Serbisë, eksluzivisht nga pozita e monitoruesit të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria. Prania e monitoruesve gjatë mbajtjes së të arrestuarve ne qendrat e ndalimit sikur edhe gjatë gjykimit krijon siguri më të madhe për personat e privuar nga liria dhe një proces gjyqësor më të drejtë dhe më transparent.”, thuhet në reagim.