Seanca e parë gjyqësore ka filluar në Gjykatën Themelore në Pejë ndaj të akuzuarit U.H, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “vrasje” ndaj nënës së tij. Seanca vjen në pasojë të ngjarjes së rëndë që ndodhi më 14 prill të këtij viti.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti.
Ndërkaq, seanca me kërkesë të mbrojtjes së të akuzuarit është e mbyllur për publikun.
Ndryshe, një muaj më parë Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë kundër U.H, i akuzuar për vrasjen e nënës së tij më 14 prill të këtij viti.
Sipas aktakuzës, i pandehuri U.H, me datë 14 prill të vitit 2023, në qytetin e Pejë, ka privuar nga jeta, nënën e tij, viktimën H.H., me dyshimin e bazuar mirë se ditën kritike në rrethana të përgjegjësisë se zvogëluar mendore në shkallë esenciale, viktimës i ka shkaktuar mbi 20 plagë në pjesë të ndryshme të trupit, duke e privuar të ndjerën nga jeta.
Me këto veprime sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallën fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.
Ndërkaq, më 14 prill, U.H dyshohet se në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë ka vrarë nënën e tij. Pas rastit tragjik, prokurorja Sahide Gashi ka thënë se kanë siguruar dëshmitarë okularë dhe se i dyshuari nuk mund të fliste.
Vrasja e 58-vjeçares kishte tronditur vendin dhe kishte nxitur reagime të shumta. E nga shoqëria civile kanë kërkuar që të bëhet më shumë për mbrojtjen e grave.