test
Sunday, July 14, 2024
Home SPORT Dardanët zhvillojnë stërvitjen e fundit para udhëtimit në Bazel, Krasniqi e Ajdini...

Dardanët zhvillojnë stërvitjen e fundit para udhëtimit në Bazel, Krasniqi e Ajdini të motivuar

Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur seancën e fundit stërvitore në Hajvali para udhëtimit për në Bazel, ku të shtunën do të përballet me Zvicrën, në ndeshjen e parafundit në kuadër të Grupit I për kualifikimet Euro 2024. Ndonëse me gjasa të vogla për kualifikim, matematikisht Dardanët ende janë në lojë për të siguruar një biletë për Evropianin që do të mbahet në Gjermani, pas barazimit të mbrëmshëm të Zvicrës me Izraelin, por për t’i arritur këtij qëllimi përveçse duhet fituar dy ndeshjet e fundit, duhet që Zvicra dhe Izraeli të mos fitojnë pikë ndaj Rumanisë. Gjithsesi, Dardanët janë të motivuar maksimalisht për dy ndeshjet e fundit të këtij cikli kundër Zvicrës dhe Bjellorusisë dhe do të mundohen që të krijojnë seri të rezultateve pozitive. Gjatë seancës së sotme përzgjedhësi Primozh Gliha dhe ndihmësit e tij kanë punuar kryesisht në aspektin taktik, teksa motivi për duelin me Zvicrën është maksimal, duke ditur edhe mbështetjen e madhe që pritet ta kenë Dardanët nga bashkëatdhetarët tanë atje. Optimizmin e tyre para udhëtimit për në Bazel e shfaqën edhe futbollisti i Llapit, Ilir Krasniqi, i cili pati paraqitje shumë të mirë kundër Izraelit, si dhe prurja e re, Alban Ajdini.

“Titullar me Izraelin? Ishte një ndjenjë fantastike, pasi ishte ndeshja ime e parë në 11-shen titullare. Ishte një ndeshje mjaftë e vështirë në një fushë të rënduar, por kemi dhënë maksimumin dhe besoj se jemi paraqitur mirë. Zvicra? Stadiumi pritet të jetë pothuajse i mbushur me përkrahës shqiptar. Na pret një duel shumë i vështirë, pasi dihet nivelin të cilin e ka Zvicra, por ne jemi shumë të motivuar, pasi e dimë se në stadium do ta kemi përkrahjen e madhe dhe shpresojmë në pikët maksimale. Gjasat? Matematikisht jemi ende në lojë, por dihet se do të jetë e vështirë. Ne do ta japim maksimumin, pastaj të shohim pas përfundimit të ndeshjes”, ka theksuar Ilir Krasniqi.

Ndërkaq, Alban Ajdini është shprehur i lumtur që është bërë pjesë e Dardanëve: “Është një ndjenjë shumë e mirë. Jam shumë krenar që jam pjesë e Kosovës dhe do ta jap maksimumin për këtë fanellë. Pritja? Lojtarët më kanë pritur shumë mirë, stafi po ashtu dhe do ta jap maksimumin për këtë fanellë. Fitorja me Izrealin? Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë, djemtë kanë qenë të motivuar dhe anë bërë lojë shumë të mirë. Zvicra? Do të jetë ndeshje e vështirë, do të ketë shumë shikues. Do të jenë shumë shqiptarë aty por na pret një sfidë shumë e vështirë”.

Ekspedita e Kombëtares së Kosovës niset drejt Bazelit nesër në mëngjes, derisa në orën 19:00 e zhvillon stërvitjen në stadiumin “St. Jakob-Park”.