Mëse 30 minuta pas përleshjes në Kuvendin e Kosovës mes deputetëve të opozitës dhe ministrave e deputetëve të pushtetit, një numër i deputetëve po vazhdojnë të qëndrojnë në sallë.
Ndërkohë ende nuk dihet se kur do të rifillojë seanca e ndërprerë pas përleshjeve fizike.
Jashtë sallës të Kuvendit të Kosovës është shtuar prezenca e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, shkruan KP.
Po ashtu, edhe te shkallët që çojnë në sallën e kuvendit, është pozicionuar sigurimi i kuvendit, të cilët nuk po lejojnë lëvizjen pa përcjellje.
Ndryshe, para mëse 30 minutash deputetët e opozitës dhe ministrat e deputetët e pushtetit u përfshinë në një përleshje.
Por si ndodhi ngjarja?
Përderisa kryeministri, Albin Kurti ishte duke folur në foltoren e Kuvendit, ai është sharë dhe ofenduar nga deputetët e opozitës.
Gjatë fjalimit të Kurtit, zëvendëskryeministri Bislimi largoi një fotografi ku shihet një vizatim i kryeministrit me hundë të madhe.
Nga pamjet e kamerave shihet se deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku shkonte drejt foltores së Kuvendit, ku ishte duke folur kryeministri Kurti e të cilit i hodhi ujë.
Pas kësaj ka reaguar ministri Murati për ta ndalur teksa zv/kryeministri Bislimi e gjuajti me një shishe Lushtakun.
Në përleshje përfshihen edhe deputetë tjerë të PDK-së, ku nga pamjet shihet se Hajdar Beqa e godet ministrin Murati dhe shtynë ministren Haxhiu.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka kërkuar që të ndërhyjë Policia e Kosovës.
Pas kësaj Kuvendi ka shkuar në pauzë, fillimisht për 30 minuta por as pas 30 minutash seanca nuk ka rifilluar.