VV-ja poston video të Kurtit pas rrahjes në Kuvend: I patrembur para krimit të 20 vjetëve

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas përplasjes fizike që ndodhi në Kuvendin e Kosovës.

Në disa pamje të publikuara nga Lëvizja Vetëvendosje, shihet kryeministri i vendit, Albin Kurti, duke buzëqeshur ku edhe i kanë bashkëngjitur një mbishkrim: I patrembur para krimit të 20 vjetëve.

Ndryshe, përderisa kryeministri, Albin Kurti ishte duke folur në foltoren e Kuvendit, ai është sharë dhe ofenduar nga deputetët e opozitës.

Gjatë fjalimit të Kurtit, zëvendëskryeministri Bislimi largoi një fotografi ku shihet fotografia e kryeministrit me hundë të madhe.

Nga pamjet e kamerave shihet se deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku shkonte drejt foltores së Kuvendit, ku ishte duke folur kryeministri Kurti e të cilit i hodhi ujë.

Pas kësaj ka reaguar ministri Murati për ta ndalur teksa zv/kryeministri Bislimi e gjuajti me një shishe Lushtakun.

Në përleshje përfshihen edhe deputetë tjerë të PDK-së, ku nga pamjet shihet se Hajdar Beqa e godet ministrin Murati dhe shtynë ministren Haxhiu.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka kërkuar që të ndërhyjë Policia e Kosovës.

Pas kësaj Kuvendi ka shkuar në pauzë për 30 minuta.