Policia e Shtetit ka njoftuar sot përmbylljen e një operacioni anti-drogë në Malësinë e Madhe.
Goditet një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
“Kishin përshtatur ambientet e një magazine, për të kultivuar bimë narkotike, me anë të llambave që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, vihet në pranga 1 shtetase (pronarja e magazinës), procedohet në gjendje të lirë 1 shtetase tjetër (për shkak të gjendjes shëndetësore)”, shkruan policia.
Gjithashtu, policia ka shpallur në kërkim bashkëshortët e tyre (vëllezër) si dhe pa proceduar edhe katër punonjës të operatorit të shpërndarjes së energjisë (OSHEE) për shpërdorim detyre.
“Sekuestrohen 90 bimë narkotike kanabis të kultivuara në vazo dhe pajisje të ndryshme elektrike”, shton policia.
Njoftimi i policisë:
Strukturat e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, të DVP Shkodër, mbështetur dhe në inteligjencën informative, kanë organizuar dhe finalizuar fazën e 10-të të operacionit policor të koduar “Qarku”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetases F. V., 54 vjeçe, banuese në fshatin Jeran, Malësi e Madhe, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për shkak të gjendjes shëndetësore, për shtetasen M. V., 43 vjeçe, banuese në fshatin Jeran.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasi U. V., 61 vjeç (bashkëshorti i shtetases F. V.) dhe vëllai i tij, shtetasi Gj. V., 56 vjeç (bashkëshorti i shtetases M. V.), të dy banues në fshatin Jeran, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Këta 4 shtetas dyshohet se kanë bashkëpunuar më njëri-tjetrin, për të kultivuar bimë narkotike cannabis sativa, në një magazinë në pronësi të shtetases së arrestuar F. V., në fshatin Jeran, Malësi e Madhe.
Gjatë kontrollit në ambientet e magazinës, që furnizohej me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, shërbimet e Policisë kanë gjetur 90 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të kultivuara në vazo, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan 24 llamba elektrike dhe pajisje të tjera elektrike, të cilat shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, në këtë ambient.
Në vijim të veprimeve për këtë rast u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit:
A. S., 23 vjeç, E. B., 37 vjeç, të dy banues në fshatin Gruemirë, I. D., 50 vjeç, banues në Koplik dhe F. D., 54 vjeç, banues në fshatin Bajzë, punonjës të OSHEE Malësi e Madhe.
Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/