Një ekip nga UEFA Grow po qëndron për vizitë pune në Kosovë, në kuadër të procesit të strategjisë së investimeve kapitale të FFK-së për vitet e ardhshme. Ekipi i kryesuar nga Oleksandr Kucheriavyi, bashkë me Phil Taylor dhe Adam Walker, krahas takimit me presidentin Agim Ademi dhe u.d. sekretarin e përgjithshëm, Taulant Hodaj, kanë zhvilluar takime edhe me ministrin e Sportit, Hajrulla Çeku, kryetarin e komunës së Prishtinës, Përparim Rama, si dhe të gjithë sektorët e FFK-së dhe me sponsorët. Në takimin me ministrin Çeku u diskutua për investimet e përgjithshme infrastrukturore në futboll, e veçmas për projektet e mbetura në gjysmë për rinovimin e stadiumeve nëpër qytete. Gjatë këtij takimi ministri i Sportit shpalosi programin e investimeve në stadiume në të gjithë vendin për katër vitet e ardhshme dhe afatet e parapara të nisjes dhe përmbylljes së këtyre projekteve. Edhe në takim me të parin e kryeqytetit, Përparim Rama në fokus ishte infrastruktura sportive, përkatësisht plani konkret i investimit në futboll, duke pasur parasysh faktin se të gjitha ndeshjet ndërkombëtare zhvillohen në kryeqendër. Ekipi nga UEFA Grow bashkëbisedojë edhe me të gjithë sektorët e FFK-së si dhe sponsorët e FFK-së, ku u shpalosën planet dhe idetë për çuarjen përpara të futbollit kosovar. Po ashtu, ekipi nga UEFA Grow gjatë ditës e ka vizituar edhe Kampin Nacional në Hajvali ku nga afër ka parë investimet në këtë kompleks sportiv.