U.d. i drejtorit ekzekutiv të Institutit të Kosovës për Administratë Publike, Enver Haxhijaj e ka pranuar se i ka dhënë autorizim kundërligjshëm asistentes së tij, Nita Selca dhe tre zyrtarëve të tjerë të agjencisë për përdorimin e veturave zyrtare në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së Kosovës.
Paparaci raportoi ekskluzivisht sot se si një asistente në Zyrën e Drejtorit Ekzekutiv të Institutit të Kosovës për Administratë Publike (IKAP) ka marrë leje për përdorimin e veturës zyrtare në kundërshtim me ligjin.
Nita Selca, asistentja e u.d. të Drejtorit Ekzekutiv të IKAP-it, pranoi autorizim për përdorimin e veturës zyrtare për një periudhë më shumë sesa një mujore nga shefi i saj, ushtruesi i detyrës së drejtorit të IKAP-it, Enver Haxhijaj.
Sipas dëshmive që ka siguruar Paparaci, vetura zyrtare e IKAP-it është përdorur jashtë orarit të punës dhe është shfaqur e parkuar në lagjen Dardania të Prishtinës saktësisht 11 ditë më parë.
U.d. i drejtorit të agjencisë, e cila funksionin në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, e ka pranuar shkeljen e vendimit të Qeverisë së Kosovës, e cila parasheh ndalimin e përdorimit të veturave zyrtare jashtë orarit të punës.
Enver Haxhijaj i ka thënë Paparacit të hënën se autorizimi i tij për asistenten “nuk ka mjaftueshëm legjitimitet”, megjithatë ka thënë se është “bërë si një zgjedhje praktike”.
Ai ka thënë se përveç asistentes së tij, ka nxjerrë autorizime për përdorimin e tri veturave të tjera zyrtare. Të gjitha në kundërshtim me vendimin e qeverisë.
“Zyrtarve: Nita Selca, Basri Berisha, Besa Ceku, Shpresa Llapashtica ju është lejuar
përdorimi I makinës zyrtare për vajtje- ardhje ne punë sipas kërkesë e tyre për periudhën nga 12.09.2022 deri me 12.10.2022 pasi që autobusët që janë përdor për ardhje në punë në relacionin: Qyteti i Prishtinës-Pallati i Drejtësisë-objekti i IKAP e kanë ndërprerë qarkullimin kah objekti i IKAP për shkak te riparimit te segmentit rrugor ne rrugën Nekibe Kelmendi afër Pallati te Drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e Haxhijajt.
“Aprovimi i përdorimit është bërë si një zgjedhje praktike, nuk ka mjaftueshëm legjitimitet sipas vendimit të cekur por në aprovimin e kërkesë janë marr parasysh: largësia e udhëtimit në këmbë nga Pallati i Drejtësisë, shëndeti fizik jo i mirë i znj. Llapashtica dhe i z. Berisha, (Shpresa Llapashtica tash se voni është detyruar te jap dorëheqje nga shërbimi civil (IKAP) dhe ka shkuar për kurim ne Itali), mundësi e vonesave ne punë, rreziqet nga qentë endacak, gjendja ekonomike, nevojat familjarë dhe faktor tjerë te cilët janë ne harmoni me interesin publik dhe mbrohen me ligje tjera”, ka thënë ai.
Haxhijaj ka thënë se vetura zyrtare për të cilin ka raportuar sot Paparaci, e cila ishte përdorur jashtë orarit të punës me autorizim të tij, nuk është përdorur jashtë orarit të punës.
“Sipas kërkesës makina është dashtë të jetë parkuar në parkingun e Ndërtesës se Rilindjes por në këto ditët e fundit kur vështirësia për ta dërguar makinën te parkingu i Rilindjes dhe nevojat familjare kanë bere te pamundur shkuarjen te parkingu. Makina është parkuar ne afërsi te banesës se Nita Selca-s, por makina siç ka shpjeguar ajo nuk është përdorur jashtë orarit te punës, gjë që shihet edhe nga fotot dhe video-incizimi”, ka pretenduar ai.
Arsyetimi i zëvendës drejtorit të IKAP-it bazohet në ndryshimin e linjës së autobusëve.
“Autobusët qe janë duke qarkulluar për te Pallati i Drejtësisë si stacion me i afërt ku zbresin udhëtarët dhe që mund të përdoret nga IKAP është udhëkryqi para Pallatit i Drejtësisë qe ka një largësi prej 3 km deri te objekti i IKAP ,rruga është shumë e rrezikshme pasi qe është e ngushtë, e dëmtuar dhe gjithmonë je i rrezikuar nga makinat (ne pjesën ku nuk punohet) dhe qentë endacak apo edhe ne Hajvali afër Inspektoratit te Policisë se Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Haxhijajt.
Sipas një vendimi të Qeverisë Kurti 1, që ishte nxjerrë më 12 maj të 2020, ishte kërkuar që të mos lejohet përdorimi i veturave zyrtare jashtë orarit të punës, me përjashtim të disa rasteve që bëhen me autorizim, por jo më gjatë se 72 orë.
Sipas nenit 3 të këtij vendimi, veturat zyrtare do të jenë në përdorim për 24 orë vetëm për kryeministrin, ministrat, zëvendësministrat, sekretarët e përgjithshëm dhe shefat e kabineteve.