Mes kritikash nga opozita, Komisioni për Administratë Publike ka miratuar në parim Projektligjin për zyrtarët publik.
Gjatë prezantimit të këtij projektligji nga ana e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se reforma në administratën publike duhet të ndodhë, qoftë edhe të dhimbshme.
“Duhet të bëjmë reforma qoftë edhe të dhimbshme, por ta zëmë hapin e kohës që Kosovën ta fusim në BE. Ky ligj bazohet edhe në praktikat e vendeve të ndryshme. P.sh. Franca e ka këtë model”, tha ai.
Ndërkaq, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, në këtë mbledhje tregoi një “mesele”, e cila ndërlidhet me krimet që janë kryer gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Deputeti Lushtaku i tha ministrit Xhelal Sveçla se me këtë ligj i kanë “pushkatuar” zyrtarët publik.
“Në një kohë kur gjyshi i tregon nipit të vet për luftën e dytë botërore sa e vështirë ishte dhe si i ka shpëtuar luftës. I thotë nipit të vet “nipi im disa i pushkatojshin e do i përdhunojshin” edhe kur nipi e pyeti gjyshin “e ty gjysh a të pushkatuan a të përdhunuan”. I ra ndërmend se çfarë kishte thënë i tha “jo mu më kanë pushkatu”. Edhe ti (Xhelal Sveçlës) me këtë ligj bashkë me Qeverinë Kurti i keni pushkatu të gjithë zyrtarët publik. Sepse në përgjegjësi kemi shkelje flagrante”, theksoi ai.
Ndërkaq, ministri Sveçla, iu kundërpërgjigj duke i thënë se nuk ka kohë për mesele.
Dhe sipas tij, përfshirja e zyrtarëve publikë në këtë “mesele” është fyese dhe e padrejtë.
“Disa jo po shumica, unë i them se nuk kam kohë për mesele. Unë kam qenë deputet, deputetët e kanë pak atë lluks. Me i kategorizu administratën publike si një prej grupeve më të rëndësishëm të shoqërisë sonë, nëpër mesele, edhe fyese mendoj që nuk është e drejtë”, theksoi ai.
Edhe deputeti nga LDK-ja dhe AAK-ja kanë dhënë vërejtjet e tyre për projektligjin në fjalë.
“Me Projektligjin për zyrtarët publik nuk do të ketë reformë, por dereformë dhe do shkaktoj probleme”, tha ai.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 23 nëntorit kishre miratuar Projektligjin për zyrtarë publik dhe Projektligjin për pagat.