Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar për vendimin e Qeverisë që t’iu ulen pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se me këtë veprim kryeministri Albin Kurti, ka vendosur ta shkatërrojë sistemin e drejtësisë.
“Albin Kurti ka marrë mision shkatërrimin e shtetit. Pas shkaktimit të rrezikut në veri, ngecjes në dialog dhe prishjes me amerikanët, sot ka vendosur ta shkatërrojë sistemin e drejtësisë. Me vendimin e qeverisë që të shfuqizohet vendimi im për rritjen e pagave për gjyqtarë dhe prokurorë, nga sot drejtësia do të punojë me paga të përgjysmuara. Prokurorët dhe Gjyqtarët që çdo ditë mbrojnë shtetin dhe drejtësinë, sot janë goditur nga Kryeministri i shkatërrimit.”, ka shkruar haradinaj.
Kryetari i AAK-së, ka ftuar Kurtin që menjëherë të kthejë pagat e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve në nivelin që kanë qenë sepse përndryshe tha se mund të shkatërrohet nga brenda njëri prej segmenteve më të rëndësishëm të një shteti, drejtësia.
Qeveria Kurti ka ulur pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke shfuqizuar vendimin e Qeverisë Haradinaj të vitit 2017, e cila prekte rritjen e të ardhurave mujore edhe të punonjësve të drejtësisë.