Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhore, Valmir Elezi, është shprehur se çështja e afatit për aplikim për certifikim të subjekteve që duan të marrin pjesë në zgjedhjet në veri është duke u trajtuar.
Në një prononcim për lajmi.net, Elezi ka theksuar se deri më tani KQZ-ja ka pranuar një kërkesë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut.
“Ju njoftoj se çështja e ndryshimit të disa afateve të aktiviteteve zgjedhore, në mesin e të cilave edhe afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në këto zgjedhje, është duke u trajtuar dhe do t’iu njoftojmë me kohë gjatë ditës. Deri më tani (21 nëntor, 14:00) KQZ-ja ka pranuar një kërkesë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut. Subjekti politik Iniciativa Qytetare Mitrovica ka dorëzuar kërkesën për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut.”, është shprehur Elezi për lajmi.net.
Përndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të gjitha partitë politike, kandidatët e pavarur, koalicionet dhe iniciativat qytetare, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, se afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhje ka filluar më 15 nëntor dhe do të përfundojë më 21 nëntor 2022.
Edhe pse afati për aplikim për certifikim të partive politike për pjesëmarrje në zgjedhje është paraparë të mbarojë sot, Lëvizja Vetëvendosje sot i është drejtuar KQZ-së me kërkesë për shtyrjen e këtij afati, kërkesë kjo që tashmë po trajtohet nga KQZ.