Ambasadori gjerman: Duhet zgjidhje urgjente për të shmangur përshkallëzimet në veri

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka përsëritur se nevojitet gjetja e një zgjidhje urgjente për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës.
Rohde tha se bashkë me ambasadorët e tjerë të vendeve të QUINT-it ka biseduar me përfaqësues të organizatave joqeveritare për situatën aktuale politike.

Ambasadori Rohde tha se nevojitet më shumë dialog i brendshëm.

“Faleminderit të gjithë përfaqësuesve të organizatave joqeveritare për ndarjen e pikëpamjeve të tyre. Diskutimi ynë tregoi nevojën urgjente për zgjidhje për të shmangur përshkallëzimin. Duhet gjithashtu më shumë dialog i brendshëm”, tha ai.

Ndryshe ditë më parë, ambasadori gjerman në Kosovë, Rohde tha se është absurde të rrezikosh një konfrontim të dhunshëm për targat, ndërkohë që Rusai po zhvillon një luftë brutale kundër Ukrainës me viktima tashmë të panumërta.

“Nevojitet urgjentisht vullneti politik për deskalim dhe kompromise në bazë të marrëveshjeve të Brukselit! Absurde të rrezikosh një konfrontim të dhunshëm për targat ndërkohë që Rusia po zhvillon një luftë brutale kundër Ukrainës me viktima tashmë të panumërta”, ka thënë Rohde.

Ndryshe Bashkimi Evropian gjatë ditës së djeshme ka bërë të ditur se nuk ka patur ndonjë marrëveshje të re për çështjen e targave në takimin e fundit që u zhvillua në Bruksel, në mes zv/kryeministri Besnik Bislimi dhe përfaqësuesit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak.