Gjermania përfundoi sot ndërtimin e terminalit të saj të parë lundrues të gazit natyror të lëngshëm (TPG) për portin e Detit të Veriut të Wilhelmshafen, në një nxitim për të siguruar më shumë TPG dhe për të zvogëluar varësinë nga gazi rus i tubacionit.
“Terminali i ri për TPG është një hap i madh në drejtim të furnizimit të sigurt me energji,” tha në një deklaratë Ministri i Ekonomisë i Saksonisë së Ulët Olaf Liss.
Mediat gjermane theksojnë se punimet përfunduan në një kohë rekord prej 194 ditësh, që është një ritëm i paprecedentë ndërtimi në vend, i cili u mundësua duke hequr dorë nga vlerësimi i ndikimit në mjedis.
Terminali lundrues i magazinimit dhe rigazifikimit (FSRU) do të ankorohet në skelën e zgjeruar para fundit të këtij viti dhe do të mundësojë shndërrimin e TPG-së, e cila vjen me cisterna speciale, në gjendje të gaztë, thuhet në njoftim.
Ministri i Mjedisit Christian Meyer deklaroi se është pro një strategjie të dyfishtë për TPG, ku njëra fokusohet në plotësimin e nevojave afatshkurtra për energji dhe tjetra afatgjatë në zgjerimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.
Infrastruktura e re portuale do të pajiset për kalimin në importet e ardhshme të burimeve të energjisë me karbon të ulët si hidrogjeni.
“Gazet fosile duhet të zëvendësohen me gaze neutrale ndaj klimës sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Meyer.
Sipas të dhënave të gjurmimit të anijeve nga Akon Refinitiv, një terminal lundrues për Wilhelmshafen, i quajtur Eperanca, i cili në thelb është një cisternë e pajisur jo vetëm për të transportuar TPG, por edhe për ta rigazinifikuar atë, mbetet në një kantier detar në Brest, Francë.
Një zëdhënës i ministrisë së kryesuar nga Olaf Liss tha se Esperanca pritet të mbërrijë plotësisht e ngarkuar në mes të dhjetorit. Nga janari e tutje do të mbërrijnë më shumë cisterna me TPG dhe Esperanca do të ankorohet dhe do të përpunojë sasitë e ardhura.