Në rritje rastet me ankth e depresion

Numri i personave të cilët përballen me probleme të shëndetit mendor, siç është ankthi e depresioni, është në rritje dhe në vendin tonë. E institucionet të cilat i trajtojnë këto raste, thonë se që nga periudha e pandemisë, numri i personave që kërkojnë ndihmë profesionale, ka pësuar një rritje prej 30 për qind.

Antigona Qenaj-Sejdiu psikologe, në një intervistë për “IndeksOnline” thotë se ka rritje të numrit të personave që kërkojnë ndihmë, qoftë për një këshillim psikologjik, apo për probleme të ndryshme psikologjike, si problemet me ankthin depresionin, divorcet si dhe problemet tek fëmijët.

 

“Mund të them që pandemia dhe periudha pas pandemisë, ka pas një rritje nëse mundemi me statistika me thanë, për afërsisht kemi një rritje 30 për qind, që i atribuohet shumë faktorëve natyrisht. Por ndër këta faktor,  është dhe vetëdijesimi i njerëzve, për problemet e shëndetit mendor dhe heqja e stigmatizimit, paragjykimeve për profesionin e  psikologut. Njerëzit kanë fillu me kuptu që me kërku ndihmë për problemet e shëndetit mendor, është  kujdes ndaj vetës. Është kujdes shëndetësor, njëjtë qysh është kujdesi shëndetësor, për probleme tjera shëndetësore fizike”, tha ajo.

Personat të cilët drejtohen tek psikologu për ndihmë, sipas saj janë të të gjitha moshave, duke filluar nga nxënësit, adoleshentët dhe të moshuarit, por të cilët janë në numër më të vogël.

“Kemi raste prej adoleshentëve, që është diçka shumë e mirë. Sepse adoleshentët sot kanë shumë pak, të mos themi aspak paragjykime dhe janë shumë të informuar për rolin e psikologut, për punën e psikologut, kur ata kanë nevojë me shku te psikologu”, tha ajo..

Qenaj -Sejdiu  komentoi dhe rastin e fundit të dhunës së ushtruar ndaj një të moshuare në Qendrën e të moshuarve në Pejë, duke thënë se në vendin tonë shohim shpesh skena të dhunës dhe se kjo tregon se shoqëria jonë ka predispozita që të jetë e dhunshme.

“Për të gjithë ne janë shqetësuese këto skena të dhunës. Si shoqëri kemi predispozitë me qenë të dhunshëm fatkeqësisht. Dhe kjo predispozitë është jo rastësisht aty. Por nëse analizojmë në kuptimin social çështjet, kuptojmë se jo vetëm në aspektin individual, por ne si shoqëri, kemi qenë shoqëri e shtypur, e dhunuar historikisht. Ndoshta jo me vite por me shekuj ekzistojnë dhe trauma trans gjeneratave, që truri jonë përmes një pjesë të trurit aty diku, mbanë historinë dhe gjeneratave tona “, tha ajo.

Shfaqja e dhunës sipas saj bëhet nga persona, të cilët  gjatë jetës së tyre kanë parë dhunë në familjet e tyre.

“Nëse ka një shfaqje të dhunës dhe ne jemi prezent dhe qasja jonë është indiferente, nënkupton që në familjet tona, në shoqërinë tonë nuk kemi një reagim kundër dhunës. Nuk e shohim si diçka tragjike. E kemi një ambient normal shfaqjen e dhunës në prezencën tonë. Ka  shumë elemente, të cilat duhet me u trajtu sa i përket dhunës dhe si shoqëri kemi nevojë për shumë çka me u vetëdijesu sa i përket dhunës”, tha Qenaj.

Ndërsa thotë se në vendin tonë zgjedhja e problemeve në të shumtën e rasteve bëhet përmes dhunës, gjë që nuk është mënyra e duhur .

“Formën e zgjidhjes së  problemeve, e kemi sikur pa vetëdijshëm atë formën e parë për me zgjedh përmes dhunës problemin. Ne duhet me u edukuar dhe për forma tjera të zgjidhjes së problemit. Këtë do ta bëjnë më së miri mësimdhënësit, psikologët nëpër shkolla, sociologëve angazhimi i njerëzve profesionist”, tha ajo.

Sipas Qenaj-Sejdiu,  nevoja për konsulta psikologjike është e pashmangshme, në rastet kur humbim një anëtar të familjes apo përjetojmë ndonjë traumë.