Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani një ditë më parë ka caktuar 18 dhjetorin, datë të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këto zgjedhje.
Betim Gjoshi, sekretar për Zgjedhje dhe Organizim në këtë subjekt ka thënë se PDK do të jetë pjesë e zgjedhjeve.
I kontaktuar nga Indeksonline, ai ka thënë se kanë qenë gjithmonë afër qytetarëve të Kosovës në atë pjesë.
“Ne do të jemi pjesë e zgjedhjeve, do të analizojmë mënyrën se si do të garojmë”, ka thënë Gjoshi.
Më tutje, anëtari i kryesisë së PDK-së, ka thënë se do ta tentojnë që të unifikojnë spektrin shqiptar.
Në anën tjetër, Lulëzim Blaka nga AAK nuk ka treguar nëse ky subjekt do të marrë pjesë në zgjedhje, por ka përsëritur propozimin e këtij subjekti prej 4 pikash, për të rikthyer situatën në normalitet, jo vetëm në veri, por në gjithë Kosovën.
Kujtojmë se Lista Serbe përmes një reagimi dërguar medieve ka bërë me dije se do t’i bojkotojë zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore të vendit.