Njohës të çështjeve kushtetuese thonë se Asociacioni i Komunave Serbe nuk duhet të formohet. Kjo edhe për shkak të interpretimit që ka bërë Gjykata Kushtetuese por edhe për faktin se nuk është siguruar njohja e Kosovës nga shteti serb.
Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk duhet të ndodhë në asnjë variant, thotë Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve kushtetuese. Madje, sipas tij, për këtë çështje nuk do të duhej të kishte presion nga askush. Ai thotë se asociacioni nuk duhet të realizohet në praktikë edhe për faktin se është në shpërputhje me sistemin kushtetues-juridik, por edhe për faktin se Serbia nuk i ka zbatuar shumicën e 33 marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Mbi të gjitha Kosova ka të drejtë që mos ta provojë fare realizimin e tij.
“Edhe në bazë të Ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare edhe në bazë të Konventës së Vjenës, në bazë të së drejtës ndërkombëtare-parimeve e standardeve të saj, çdo shtet çdo qeveri ka të drejtë që në ndryshim rrethanash , duke zbatuar parimin rebus siç stantibus thjesht të pranojë pjesërisht apo të mos pranojë fare për zbatimin e një marrëveshjeje të tillë. Kjo marrëveshje për të cilën dikush insiston, fatkeqësisht qoftë nga brenda apo qoftë nga jashtë, nuk duhet të pranohet që të realizohet në praktikë”, tha Baraliu për Radio Kosovën.
Ndërsa profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, thotë se çështja e formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duhet të përdoret si një monedhë për të blerë njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Serbia. Ai thotë se “Kosova në asnjë mënyrë nuk mundet ta bëjë asociacionin pa e marrë njohjen” .
“Nëse njohja e Kosovës nga ana e Serbisë ka me qenë vetëm premtim në të ardhmen,atëherë edhe Asociacioni duhet të jetë vetëm premtim për të ardhmen, dhe kurrsesi zbatim i menjëhershëm, siç ka ndodhur me planin e Ahtisarit. Kosova nuk është dashur të zbatojë planin e Ahtisarit, është dashur vetëm të premtojë, dhe është dashur të thotë që po – kur të na njeh Serbia edhe ne do ta bëjmë decentralizimin, do t’i krijojmë komunat me shumicë serbe qysh jemi marrë vesh në Vjenë, do ta bëjmë serbishten gjuhe zyrtare etj etj”, tha Spahiu.
Kosova deri më tani ka bërë mjaft kompromise, prandaj e kaluara duhet të shërbejë si mendësi, thotë Spahiu.