Kryeministri Albin Kurti ka folur para mediave pas mbarimit të Samitit të Berlinit që po mbahet në Gjermani me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ndër të tjerash, Kurti ka folur edhe për situatën e krijuar pas vendimit të ri për targat ilegale të lëshuara nga Serbia.
Në përgjigjen e tij, kryeministri ka thënë se vazhdimi i përdorimit të targave ilegale “është mirëmbajtje e modelit të regjimit të Millosheviqit”.
“Kanë kohë të ndjekin atë model deri më 29 nëntor, pastaj do të fillojnë të paguajnë gjoba. Deri më 29 nëntor, për tri javë do të ketë vetëm vërejtje, pra qortime. Pas kësaj date për dy muaj do të ketë gjoba. Unë nuk jam i interesuar që të shqiptohen gjoba, as të konfiskohen automjete por po shohim se ka një terror të ushtruar nga Serbia që po kërcënojnë dhe sulmojnë ata që ndjekin rrugët ligjore në veri”, ka thënë Kurti para mediave.
Kryeministri i Kosovës ka bërë të ditur se këto çështje ia ka përcjell edhe Joseph Borrell, i cili pastaj edhe ka kritikuar këto akte që po ndodhin në veri të vendit, e që sipas Kurtit ndodhin nga grupe të organizuara e të financuara nga Serbia.