Osmani zgjodhi një klinikë private, Thaçi ishte operuar për veshka në QKUK në mes të pandemisë

Presidenca ka njoftuar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu pas rekomandimit të mjekëve specialistë iu është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik.
Sipas Presidencës, intervenimi (heqja e tëmthit) është realizuar me sukses.

Në njoftim thuhet se Osmani ia ka bartur përgjegjësitë kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës ndërsa planifikohet që më 3 nëntor Osmani t’iu kthehet angazhimeve të saj.

Preisdenca gjithashtu ka kërkuar respektimin e të drejtës për privatësi të Osmanit.

“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se dje (2 nëntor), pas rekomandimit nga mjekët specialistë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses. Bazuar në vlerësimin dhe vullnetin e saj, gjatë ditës së djeshme, Presidentja Osmani ka bërë bartjen e përkohshme të përgjegjësive të Presidentes së Republikës tek Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca. Nga 3 nëntori, Presidentja do të vazhdoj me ushtrimin e detyrave dhe obligimeve kushtetuese që ndërlidhen me pozitën e Presidentes së Republikës, si dhe gradualisht do t’i kthehet angazhimeve publike. Gjatë kësaj periudhe, kërkojmë mirëkuptimin e medieve për të respektuar të drejtën fundamental për privatësi të Presidentes, që është e garantuar me kushtetutë.”, thuhet në reagim.

Por, përderisa për një intervenim të thjesht (siç e quan edhe vet Presidenca), Osmani zgjodhi një klinikë private në Kosovë, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishte operuar para dy vitesh në QKUK.

Në prill të vitit 2020, pas një problemi në veshka, Thaçi iu ishte nënshtruar operimit në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, ndërsa pak më vonë kishte dalë nga Klinika.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot pasdite i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik endourologjik në Klinikën e Urologjisë në Shërbimin Spitalor Kliniko-Universitar të Kosovës. Sipas personelit mjekësor, operacioni ka qenë i suksesshëm dhe presidenti është nën kujdesin e vazhdueshëm të personelit mjekësor profesional” njoftonte para dy vitesh Presidenca.

Ndërsa vet Thaçi, nëpërmjet një reagimi falënderonte mjekët dhe personelin në QKUK për intervenimin e kryer.

“Sapo jam liruar për trajtim në shtëpi, pas një intervenimi që kisha sot në Klinikën e Urologjisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. U jam shumë mirënjohës mjekëve dhe stafit për trajtimin profesional. Po ashtu, i falënderoj të gjithë miqtë dhe përkrahësit që më kanë shkruar dhe janë interesuar për gjendjen time shëndetësore. Pres që të kthehem në punë javën që vjen”, kishte thënë Thaçi.

Se cili do të jetë shpjegimi ose arsyetimi pse Osmani ka zgjedhur një klinikë private para një klinike shtetërore mbetet të shihet pasi të deklarohen më gjerësisht institucioni ose vet Osmani për këtë çështje.