Kërkesa e SHBA-ve dhe BE-së për targat në vesh të shurdhër, Qeveria s’tërhiqet – MPB del me njoftim

Ministria e Punëve të Brendshme ka dalë me një komunikatë për media sa i përket çështjes së targave ilegale serbe dhe riregjistrimit të tyre në targa legale të Republikës së Kosovës (RKS).
Në njoftimin për media të MPB-së thuhet se regjistrimi do të vazhdojë deri më datë 21 prill 2022, por gjithashtu kanë përmendur se qeveria e Kosovës ka vendosur që regjistrimi i këtyre mjeteve të bëhet i përshkallëzuar në faza deri në përmbylljen e procesit, shkruan lajmi.net.

Kjo bie ndesh me kërkesën e vendeve të QUINT-it, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që janë shprehur të zhgënjyer nga vendimi i qeverisë së Kosovës që nuk është në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrje të pakusht edhe për 8 muaj.

Në këtë vendim, edhe njëherë ripërsëriten masat që janë quajtur “sekuencim” dhe “shkallëzim”, në vend të shtyrjes, por në anën tjetër BE dhe SHBA kanë kërkuar që kjo të shtyhet pa kushte.

Kjo është komunikata e plotë:

Në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve do të vazhdojë regjistrimi i mjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri më datë 21 prill 2022.

Qeveria e Republikës së Kosovës, me datë 28.10.2022 ka marrë Vendimin Nr.05/103 me të cilin ka vendosur që procesi i regjistrimit të këtyre mjeteve në targa RKS të bëhet i shkallëzuar në faza, deri në përmbylljen e këtij procesi legal dhe legjitim me datë 21 prill 2023.

Të nderuar qytetarë, ju do të keni mundësi të përfitoni nga lehtësirat për regjistrim të mjeteve nga targa ilegale në targa RKS deri me datë 31 mars 2023 duke përfshirë: taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjetit. Mjetet tuaja motorike mund t’i regjistroni në cilëndo qendër të regjistrimit, pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit që kanë.

Me vendimin e ri, nga data 1 Nëntor 2022, të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale, do të shqiptohet masa e qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.

Nga data 21 Nëntor deri me datë 21 Janar, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE” “DA” apo “ĐA”, do të shqiptohet gjobë sipas legjislacionit në fuqi, në lartësi prej 150 euro.

Nga data 21 Janar 2023, pronarët e mjeteve me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, për të hyrë dhe qarkulluar në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të pajisen me targa provuese duke e pasur të drejtën e regjistrimit me targa RKS me lehtësirat e parapara.

Nga data 31 mars deri me datë 21 prill 2023, do të mundësohet regjistrimi i mjeteve me

“PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” në targa RKS, por të njëjtat nuk do të mund të shfrytëzojnë lehtësirat e ofruara deri me këtë datë.

Pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet hyrja apo qarkullimi i mjeteve motorike që posedojnë targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Duam të sigurojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se ky proces ka për synim ligjshmërinë në shtetin tonë, rritjen e sigurisë në trafik dhe nuk është i drejtuar ndaj asnjë etnie të caktuar.

Ftojmë të gjithë qytetarët tanë, të cilët posedojnë mjete të pajisura me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA”, që të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS dhe bashkërisht të përfundojmë me sukses këtë proces.

Për çfarëdo informacioni shtesë, lusim qytetarët që të na drejtohen me pyetje në Zip-Mpb@rks-gov.net si dhe në numrin e telefonit 0800 GO-RKS (0800 46 757).