Vazhdon testimi i shndërrimit të unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet

Komuna e Prishtinës edhe të shtunën dhe të dielën do të vazhdojë me testimin e radhës të shndërrimit të unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet.Komuna bën të ditur se i tërë procesi do të jetë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës.

Testimi i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjete ka shkaktuar të premten kolona dhe pritje të gjata, gjë që irritoi qytetarët.Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në një postim në Facebook, Rama ka shkruar se një testim i tillë në ditë pune u ka mundësuar të identifikojnë fytet e ngushta në rrugë.

Rama ka thënë se kanë pranuar edhe mesazhe me propozime e rekomandime konkrete për të ofruar një zgjidhje përfundimtare “për komunikacionin e ngarkuar të kryeqytetit tonë”.“Të gjitha propozimet dhe shqetësimet jemi duke i trajtuar me kujdes të veçantë bashkë me stafin tim”, ka shkruar mes tjerash i pari i Prishtinës.

Ndryshe, qarkorja njëkahëshe gjatë këtyre ditëve do të jetë funksionale në drejtim të rrugëve:

– Rruga “Agim Ramadani” që nga semaforët pranë ish-mensës së Studentëve e deri te rreth-rrotullimi prapa ndërtesës së Komunë

– Rruga “UÇK” nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia.– Rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE

– Rruga “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore– Rruga “Ukshin Hoti”

– Rruga “Robert Doll”Komuna e Prishtinës u bëri thirrje qytetarëve që të kenë durim përgjatë kësaj periudhe provuese të ndryshimit të qarkullimit me automjete, meqenëse qëllimi kryesor i gjithë procesit është zgjidhja afatgjate e lirimit të hapësirave të lëvizjes për këmbësorë sipas rekomandimeve të task forcës rrugore, si dhe lirimi i mbingarkesës së trafikut rrugor.