Kufijtë e Britanisë janë “të mbingarkuar” nga kalimet e emigrantëve në Kanalin Anglez, sipas zyrtarëve e Home Office të cilët zbuluan se 10,000 burra shqiptarë kanë mbërritur me varka të vogla këtë vit.
Dan O’Mahoney, komandant i Forcave Kufitare në Kanalin Anglez, ia atribuoi “rritjes eksponenciale” të emigrantëve, bandave kriminale shqiptare që “fituan një terren” në Francën veriore.
Sipas tij, bandat në Francë u vunë në kontakt me bandat shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat dominonin në tregtinë e drogës, trafikimin e qenieve njerëzore, armët dhe prostitucionin, raporton The Times.
Gjithsej 12,000 emigrantë shqiptarë kanë mbërritur në Britaninë e Madhe me varka të vogla këtë vit, një rritje e konsiderueshme nga 800 vitin e kaluar dhe 50 në 2020.
“Ata kanë ndihmuar kalimin e një numër shumë të madh emigrantësh,” i tha O’Mahoney komitetit të punëve të brendshme në Britani.
“Ky numër prej 10,000 është midis 1 dhe 2 për qind të të gjithë popullsisë së rritur të meshkujve në Shqipërisë”, shtoi komandati. Më vonë ai sqaroi se përqindja lidhej me popullsinë e meshkujve të moshës 20 deri në 40 vjeç.
Shumica e emigrantëve shqiptarë paraqitën kërkesa për azil ose thanë se ishin viktima të skllavërisë moderne, tha O’Mahoney. Një numër i madh “po luanin qëllimisht me sistemin”, shtoi ai, dhe një numër në rritje u zhduk nga hotelet e përdorura për të strehuar azilkërkuesit brenda disa ditësh nga mbërritja.
“Ata do të zhduken, do të punojnë ilegalisht në Britaninë e Madhe për ndoshta gjashtë muaj, ndoshta një vit, do t’i dërgojnë paratë në shtëpi dhe më pas do të kthehen në Shqipëri”, tha ai.
Zyrtarët francezë kanë ndaluar 42 për qind të kalimeve të emigrantëve këtë vit, nga 50 për qind që ishte vitin e kaluar, u thanë deputetëve. Francezët kanë kapur 28,000 kalime këtë vit, që do të thotë se 66,000 janë tentuar.
O’Mahoney tha: “Nëse francezët nuk do të ndalonin … ato kalime, do të shihnim më shumë se 2,000 njerëz në ditë që mbërrinin me varka të vogla, do të ishte krejtësisht e pamenaxhueshme. sistemi që tashmë është i mbingarkuar do të ishte në pikën e thyerjes.”