Shqipëria po synon të bllokojë diplomat e studentëve të mjekësisë për tri vjet, për të frenuar kështu ikjen e tyre në vendet e Bashkimit Evropian. Me ikje të mjekëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësor po përballet edhe Kosova. Por, a do të mund të zbatohej një nismë e tillë edhe në Kosovë? Flasin Kryetari i Odës së Mjekëve dhe deputetët Bekim Haxhiu e Pal Lekaj, që me profesion janë mjekë.
Asnjëherë më shumë se sivjet s’kanë ikur mjekë nga Kosova, nëse krahasohen statistikat për pesë vjetët e fundit. Brenda këtyre 10 muajve, 183 mjekë kanë tërhequr dokumentin e pastërtisë etiko-profesionale nga Oda e Mjekëve të Kosovës, dokument që iu kërkohet për punësim në shtetet e Bashkimit Evropian.
Sipas të dhënave të kësaj ode, nga viti 2018 e deri tash, kanë ikur 666 mjekë.
“Gjatë vitit 2022, janë 183 kolegë të cilët e kanë tërhequr dokumentin e Pastërtisë etiko-profesionale nga OMK, dokument i cili ju duhet për punësim në shtetet e BE. Për vitin 2018 janë lëshuar 110; për vitin 2019 janë lëshuar 109; për vitin 2020 janë lëshuar 105 dhe për vitin 2021 janë lëshuar 159;”, kanë deklaruar nga Oda e Mjekëve për Gazetën Express.
Bashkë me mjekët, po largohen edhe infermierët. Kryetari i Odës së Infermierëve, Naser Rrustemi, ka deklaruar para dy ditësh se mbi 600 infermierë janë larguar këtë vit nga Kosova. Ka thënë se po ikin edhe infermierë që kanë 20 vite përvojë punë.
Për të ndaluar ikjen e profesionistëve shëndetësorë, Kosova ende s’ka dalë me një strategji.
Shqipëria duket se ka marrë mësim nga kjo situatë me të cilën po përballet Kosova.
Edhe pse tash për tash, nuk vuan për mjekë dhe personel shëndetësor, por që kjo të mos ndodhë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dale me një plan.
Ai ka planifikuar të bllokojë diplomat e studentëve të mjekësisë.
“Diplomën e mjekut nuk do ta japim sapo të mbarosh shkollën. Do të shkosh njëherë t’ia kthesh popullit tënd atë që ka bërë [ai] për ty, pastaj do ta marrësh edhe diplomën dhe shko ku të duash, sipas afateve të caktuara”, tha Rama.
Rama tha se diploma do të bllokohet për tre vjet, por nuk tregoi se kur do të nisë së zbatuari kjo masë.
“Nuk mund të paguajë populli shqiptar për mjekët e Gjermanisë”, ka thënë Rama.
A do të mund të zbatohej një masë e tillë edhe në Kosovë?
Zbatimi i një mase të tillë në Kosovë, do të ishte problematike, vlerëson Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.
Nëse veç do të zbatohej, Sejdiu thotë se Shteti do të duhej të merrte obligim punësimin e tyre. Sipas tij, një gjë e tillë s’do të mund të realizohej, meqë do të nënkuptonte hapjen e 150 vendeve të punës për mjek çdo vit.
“Kjo çështje mund të jetë problematike nga ana ligjore, sepse mund të konsiderohet cenim i të drejtave të njeriut nëse nuk ka një dispozitë ligjore, e cila do mund të obligonte studenten e porsadiplomuar të kenë këtë obligim ligjor. Poashtu, me këtë rast shteti, qeveria, do merrte obligim punësimin e tyre dhe dyshoj se një gjë e tillë do mund të realizohej, bazuar në numrin e lartë të papunëve. Pra bëhet fjalë për hapjen e 150 vendeve të punës për mjek çdo vit”, ka deklaruar Sejdiu për Gazetën Express.
Ai ka folur edhe për propozimin që i kanë bërë Ministrisë së Shëndetësisë si Odë e Mjekëve, por që thotë se asnjëherë s’është përkrahur.
Ne si organizatë, OMK, kemi propozuar sankcionimin ligjor të hapjes së vendeve të punës, përveç sektorit primar, edhe te sektori sekondar si mjek në repart apo klinikë. Një gjë e tillë asnjëherë nuk ka gjetur përkrahje tek zyrtarët e MSh-së”, ka thënë Sejdiu.
Deputeti nga radhët e PDK’së, Bekim Haxhiu, i cili është pjesë e Komisionit për Shëndetsi, ka thënë se një propozim të kësaj natyre e ka dhënë edhe vetë për specializantët në Kosovë.
Specializimi bëhet atëherë kur një student i mjekësisë mbaron fakultetin, mirëpo duhet të specializohet në një drejtim të caktuar.
Haxhiu i ka thënë Gazetës Express se që nga viti 2012 ka kërkuar që për specializantët të ketë kontrata obligative, ashtu që pas përfundimit të specializimit, ata të obligohen të punojnë në institucione publike për 7-8 vjet.
Por, para se të zbatohet një nismë e tillë, thotë se duhet të rriten pagat.
“Që nga viti 2012 unë kam kërkuar që për specializantët të ketë kontrata obligative që ata pas përfundimit të specializimit të obligohen të punojnë në institucione publike për 7-8 vite. Por para se të zbatohet kjo normë duhet pagat të rriten, me paga të nivelit aktual nuk mund të zbatosh një normë të këtillë”, ka deklaruar Haxhiu.
Për dallim nga Haxhiu, deputeti i AAK’së, Pal Lekaj, i cili është me profesion mjek, ka dalë kundër që një nismë e tillë të zbatohet edhe në Kosovë.
“Mendoj që Shqipëria funksionon me politikat e saj shtetërore. Parimisht, unë nuk e përkrahi këtë ide dhe plan mbi Diplomën e Mjekut, sepse mendoj që cënohet e drejta e studentëve, e drejta e lirisë për të studiuar dhe punuar”, ka deklaruar Lekaj për Express.
Lekaj ka thënë se është për keqardhje fakti që Shteti s’po arrin të krijojë vende pune, siguri e mirëqenie për mjekët, infermierët e profesionistët e tjerë shëndetësorë.
“Profesionistët shëndetësorë janë asset i shtetit tonë, të cilët duhet respektuar dhe nderuar në vazhdimësi. Kosova është me fat që ka një rini shumë të madhe, tê shëndoshë e të vullnetshëm për studime e punë. Shteti ynë çdo vit krijon gjenerata të mjekëve e profesionistëve shëndetësorë, të cilët fatkeqësisht nuk po gjejnë punë dhe nuk po mund të vazhdojnë jetën në Kosovë. Është për të ardhur keqë që shteti ynë, nuk po arrin të krijojë vende pune, siguri e mirëqenie për infermierët, mjekët e të gjithë profesionistët shëndetësor”, ka thënë Lekaj.
Sipas tij, është momenti i fundit që të krijohen avantazhe e benefite ndaj të rinjve të diplomuar, që të parandalohet ikja e profesionistëve shëndetësorë.
“Është momenti i fundit që shteti i Kosovēs të krijojë politika e strategji, që të krijojë avanatazhe dhe benefite ndaj të rinjëve të diplomuar, me theks të veçantë ndaj atyre të fushës së mjekësisë. Kjo sepse, mjekët po ikin çdo ditë e nuk guxojmë të rrezikojmë sektorin e shëndetësisë nē të ardhmen”, ka thënë deputeti i AAK’së.
Gazeta Express ka provuar të marrë një qëndrim për këtë çështje edhe nga Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku, e cila vjen nga partia në pushtet, por e njëjta s’ka kthyer përgjigje.
Përgjigje s’ka kthyer as ish-Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.