MPB jep detaje për Projektligjin për Paga dhe për Zyrtarët Publik

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Bardhyl Dobra mbajti konferencë për media.

Në këtë konferencë zëvendësministri Dobra diskutoi në detaje për Projektligjin për Paga dhe për Projektligjin për Zyrtarët Publik, ku po ashtu bëri të ditur edhe fazat në të cilat kanë kaluar këto dokumente dhe si do të procedohet më tutje.

Në vijim gjeni të plotë fjalimin e zëvendësministrit Dobra:

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, të nderuar përfaqësues të mediave,

Faleminderit që i jeni përgjigjur ftesës sonë për këtë konferencë për medie lidhur me projektligjet për paga dhe atë për zyrtarët publik dhe në përgjithësi për reformën në administratë publike.

Më lejoni që shkurtimisht të jap një historik të kësaj reforme. Në vitin 2018 qeveria e atëhershme ka miratuar një pako me tre projektligje, ai për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe të agjencive të pavarura, ai për zyrtarët publik si dhe ligji për pagat në sektorin publik.

Pasi janë sfiduar në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit ka vendosur që projektligji për paga shfuqizohet në tërësi, ai për zyrtarët publik pjesërisht, ndërsa i vetmi që ka mundur të zbatohet, përkundër problemeve të mëdha që janë në të, ishte ai për organizim të administratës.

Ligji për zyrtarët publik kishte filluar të zbatohej në vitin 2020 por njësitë e burimeve njerëzore gjithandej institucioneve kanë hasur në pengesa të papara në zbatimin e tij. Për më tepër, ky ligj kishte mungesë ambicie për të reformuar një administratë publike e cila vuan nga disa sëmundje kronike. Politizimi i thellë dhe nepotizmi, e rrjedhimisht mungesa e meritokracisë, mungesa e profesionalizmit, mungesa e kapaciteteve në aspektin kualitativ, probleme me legjislacion, probleme me matje adekuate dhe reale të performancës, probleme me transparencë dhe llogaridhënie, mungesë të përfaqësimit të grave dhe komuniteteve jo shumicë.  Shumë çështje të tjera janë ngritur në raportet e progresit që nga viti 2008, nga hulumtime të organizatave të tjera vendore e ndërkombëtare, nga OJQ të ndryshme vendore e ndërkombëtare, nga hulumtues akademik vendor e të huaj.

Të nderuar, më këto dy projektligje ne jo vetëm që kemi punuar për të korrigjuar problemet me legjislacion të cilat çdo vit identifikohen në raportet e progresit dhe në praktikë, por kemi ndërtuar mekanizma konkret për t’i adresuar problemet të cilat janë identifikuar e që më herët i quajta element të asaj sëmundjes kronike nga e cila vuan administrata jonë.

Siç e dini në muajin gusht të këtij viti i kemi nxjerre që të dyja projektligjet në konsultime paraprake dhe në muajin shtator kemi filluar me konsultimet publike me ç ‘rast kemi ftuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pavarësisht nëse preken në mënyre direkte apo jo nga këto dy projektligje, që të japin komentet e tyre lidhur me këto dy projektligje që në fakt janë pika kyçe të reformës së administratës publike.

Të dyja llojet e konsultimeve kanë dëshmuar se ka interesim të madh të institucioneve dhe vet qytetarëve për të kontribuar që këto dy projektligje të jenë sa më të mira të mundshme dhe njëherë e përgjithmonë t’i rregullojnë problemet më esenciale të administratës e të cilat mandej pengojnë edhe arritjet në sferat më të ngushta të punëve dhe shërbimeve të përditshme që i bën apo ofron administrata publike. Në fakt ky ka qenë qëllimi i kësaj qeverie që nën lidershipin tonë por bashkërisht ta hartojmë dhe zbatojmë reformën e shumëpritur të administratës publike.

Përveç faktit që i kemi mbajtur nga tre javë konsultime paraprake dhe tre javë konsultime publike, unë me ekipin tim kemi takuar në mënyrë individuale përfaqësues të institucioneve në vijim:

  • Kuvendin e Kosovës
  • Përfaqësuesit e Gjykatës Kushtetuese
  • Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës
  • Zyrën e Avokatit të Popullit dhe vet Avokatin e Popullit
  • Zyrën Kombëtare të Auditimit
  • Këshillin e Pavarur të Mediave
  • Komisionin Qendror të Zgjedhjeve
  • Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil
  • Agjencinë Anti-Korrupsion
  • Policia e Kosovës, Doganat, ATK, Zjarrfikësit, Forenzikën dhe IPK, Shërbimin korrektues dhe sprovues të Kosovës
  • Përfaqësues të SHSKUK
  • Agjencitë e pavarura
  • Agjencitë rregullatore si ARRU, ZRRE dhe ARKEP
  • Sekretarët e përgjithshëm të të gjitha ministrive
  • Agjencinë për Shërbimin e Navigimit Ajror
  • Kryeshefat e Agjencive ekzekutive
  • Udhëheqësit e burimeve njerëzore të nivelit lokal, përfaqësues të MAPL dhe organizatës jo-qeveritare Asociacioni i Komunave të Kosovës
  • Komisionin për Miniera dhe Minerale
  • Përfaqësuesit e të gjitha sindikatave që operojnë në sektorin publik
  • Iniciativën Shoqata e Pavarur e të Verbërve të Kosovës, si dhe institucione të tjera.

Gjatë këtyre takimeve kemi dëgjuar shqetësimet dhe propozimet nga bashkëbiseduesit dhe diskutuar mundësitë e inkorporimeve të tyre, diskutime shumë të rëndësishme të cilat janë zhvilluar në një klimë të këndshme e bashkëpunuese.

Gjatë konsultimeve paraprake dhe atyre publike kemi pranuar komente nga rreth 50 institucione të ndryshme si Ministri, Kuvendi, Agjenci të pavarura, rregullatorë e ekzekutive, organizata vendore e ndërkombëtare, organizata joqeveritare, sindikata, si dhe nga një numër qytetarësh të Republikës së Kosovës, të cilët shfrytëzojë rastin t’i falënderoj për kontributin e tyre për t’a bërë këtë ligj sa më të mirë që është e mundur.

Sa i përket ligjit për paga kemi pranuar komente nga rreth 80 institucione të ndryshme dhe kësaj radhe dukshëm më pak nga qytetarët për vet faktin se ata nuk preken në mënyrë direkte nga ky ligj, ndërsa me ligjin për zyrtarët publik ata janë plotësisht të vetëdijshëm se si rezultat i reformës do përmirësohen shërbimet që i marrin nga administrata publike dhe rrjedhimisht kanë qenë shumë më të interesuar.

Ne kemi pranuar një numër relativisht të madh të komenteve për këto dy ligje dhe jemi duke i trajtuar me seriozitetin më të lartë në mënyrë që ligji të jetë sa më i mirë që është e mundur. Të gjitha komentet po shqyrtohen fjalë për fjalë, në rastet kur është e mundur të inkorporohen në projektligje këtë po bëjmë, në rastet tjera po japin shpjegimet e nevojshme.

Është mëse e nevojshme t’i trajtojmë me shumë kujdes në mënyrë që ligji të jetë i mirë për shkak se nevoja që ligji të jetë i mirë, nevoja për ndryshime rrënjësore në administratë publike në Kosovë është shumë e madhe dhe kjo qeveri e ka fituar mandatin në mënyrë plebishitare për të bërë këto reforma.

Të nderuar, që nga viti 2012, ky është viti i parë që në raportin e progresit nuk përmendet njolla e zezë, emërimet politike dhe ndërhyrjet politike në administratë. Kjo nuk do të thot se administrata jonë nuk është e politizuar sepse hulumtime shkencore nga profesorë vendorë e të huaj, nga institute vendore e të huaja e konfirmojnë politizimin e thellë. Për të cituar një prej tyre, në raportin e Agusholli dhe Pula të vitit 2021 National PAR Monitor Kosovo 2019-2020, 62% e qytetarëve mendojnë se shërbyesit civil nuk rekrutohen me meritokraci, dhe 78% e vet shërbyesve civil pajtohen se zyrtarët e administratës nuk janë rekrutuar falë kualifikimeve dhe shkathtësive të tyre.

Sipas raportit për shërbimin civil të vitit 2021 të nxjerrur nga Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik (DMZP), nga vlerësimet që i janë bërë shërbyesve civil del se nota mesatare është 3.91 (nota 3,5 deri 4,5=shumë mirë), pra nota mesatare 3.91 nënkupton se “vlerësohet nëpunësi, i cili jo vetëm që ka realizuar të gjitha objektivat e punës, por ka treguar gjithashtu aftësi të punës që tejkalojnë pritjet si dhe ka kontribuar në realizimin e objektivave dhe përformancën e përgjithshme të institucionit.” E që po besoj se shërbimet që I marrim si qytetarë nuk e reflektojnë këtë performancë të shkëlqyer që paraqitet në letër. Për vitin 2021 janë shënuar vetëm 118 raste me shkelje, prej të cilavë vetëm 63 si shkelje të rënda.

Të nderuar qytetarë dhe përfaqësues të medieve, përmes rishikimit të ligjit për zyrtarët publik jemi duke profesionalizuar administratën publike, duke e depolitizuar. Po ndërtojmë një administratë e cila funksionin mbi parime që I ndanë bota përëndimore: meritokraci, transparencë dhe llogaridhënie, efikasitet dhe shërbime të mira për qytetarët. Për herë të parë rekrutimet do digjitalizohen tërësisht, pra do eliminohen ndërhyrjet në rekrutime sepse algoritmat do përzgjedhin pyetjet në momentin që kandidatët hyjnë në testim e jo siç ka ndodhur më parë të ndahen pyetje me telefona apo edhe te plotësohen testet paraprakisht. Në të njëjtën mënyrë përmes algoritmave do përzgjedhen anëtarët e komisioneve në mënyrë që mos të jenë përherë të njëjtit dhe të dihet paraprakisht se kush do jetë anëtarë e rrjedhimisht edhe të gjindet ajo lidhja politike, familjare apo miqësore, lidhje të cilat siç e pamë më lartë janë përdorur në mënyrë masive për t’u rekrutuar në shërbimin civil. Do krijojmë mundësi të barabarta kandidimi për të gjithë qytetarët e Republikës, për diasporën. Mbi të gjitha më në fund do krijojmë kushte që gratë të kenë mundësi të rekrutohen në shërbim civil, të kandidojnë e fitojnë pozita menaxheriale sepse, fatkeqësisht, ne sot kemi një administratë tërësisht të dominuar nga burrat.

E njëjta situatë e rëndë është edhe në fushën e pagave. Sot kemi afro 60 akte të ndryshme ligjore të cilat rregullojnë pagat, kemi 170 lloje të ndryshme të shtesave, një katrahurë e vërtetë. Rritje pagash me vendime të paanalizuara mirë, rritje pagash me vendime e jo me ligj sic e kishim rastin me rritjen e pagave nga ish-Kryeministri për veten e tij dhe kabinetin qeveritar, akt I paprecedent që pa u menduar e dashur ua rriti në mënyrë automatike pagat gjyqësorit, rritje që nuk erdhi si pasojë e performancës së tyre, as I ndonjë vendimi strategjik apo ndonjë analize ekonomike. Ai vendim ad-hoc i atëhershëm ka krijuar tani një situatë ku një gjyqtar I Gjykatës Themelore për shembull e ka pagën tre herë me të lartë se një mjek specialist, e mos të flasim tutje për Gjyqtarë të nivele më të larta apo prokurorë e kryeprokurorë sepse atëherë raporti është afro 5 herë më i lartë në krahasim me mjekun. Njëkohësisht, kemi situate ku një vozitës në një institucion të caktuar e ka pagën më të lartë sesa një mjek specialist. Jemi ne një situatë ku raporti në mes pagës më të ulët dhe asaj më të lartë është hiç më pak se 20, pra paga me e lartë është 20 fish më e lartë sesa paga më e ulët.

Ajo që ne jemi duke bërë është kalimi nga një situatë kaotike me 60 akte në një ligj të vetëm, po ndërtojmë një sistem të qëndrueshëm e transparent. Po kalojmë nga 170 lloje shtesash në vetëm 10 sosh. Nga një situatë ku dallimi në mes pagës më të lartë dhe asaj më të vogël kalon nga 20 fish në vetëm 5, po sjellim rregull, transparencë, dhe mbi të gjitha barazi e drejtësi.

Ky ligj rregullon pagat e 85000 zyrtarëve që paguhen përmes Thesarit të Republikës së Kosovës, trajton si duhet mjekët, arsimtarët, edukatorët e fëmijëve tanë, policët, ushtarët e zjarrfikësit që çdo ditë u shërbejnë qytetarëve të Republikës sonë. Me këtë ligj ne po kujdesemi që edhe akterët e kulturës dhe artit të paguhen për punën e tyre, që ata mos t’i kujtojmë vetëm kur na zbardhin fytyrën me sukseset e tyre por edhe kur punojnë shumë për arritjet e po atyre sukseseve.

Që gjendja nuk është aspak e mirë, veçanërisht me kualitetin e burimeve njerëzore, është shumë e vërtetë, por ju siguroj se ky është vetëm fillimi I reformës së thellë e cila do e transformojë administratën publike të Kosovës në administratë moderne et profesionale sikurse simotrat e saja në perëndim. Partnerët tanë ndërkombëtarë janë duke na përkrahur me mekanizma të ndryshëm, Bashkimi Europian dhe shtetet anëtare, SIGMA, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe organizata të tjera. Së shpejti do nënshkruajmë një marrëveshje me Ministrinë franceze ekuivalente për administratë publike dhe Institutin kombëtar për shërbim civil me të cilët do punojmë ngushtë për të përmirësuar gjendjen me burimet njerëzore duke përfshirë proceset e rekrutimeve, trajnimet, zhvillimin e karrierës dhe përmirësimin e performancës në shërbim civil. Digjitalizimi do prekë jo vetëm digjitalizimin e shërbimeve por edhe të procedurave administrative në mënyrë që të rritet efikasiteti, transparenca dhe llogaridhënia.

Mos të harrojmë se kur i bashkëngjitemi shërbimit civil e bëjmë për diçka më të madhe sesa vetvetja e që quhet interesi I përgjithshëm.