Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se Belind Këlliçi është gati të shpalosë kandidaturën për kreun e Bashkisë së Tiranës.
Ai pritet të jetë kandidati i PD dhe PL për zgjedhjet vendore.
Kush është Belind Këlliçi?
Belind Këlliçi u zgjodh deputet i Partisë Demokratike për Qarkun Tiranë pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021 dhe ka mbajtur detyrën e kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike që prej Dhjetorit të vitit 2015.
Në vitin 2022, Belind Këlliçi ishte anëtari më i votuar i kryesisë së Partisë Demokratike.
Pas vendimit të Lulzim Bashës për të larguar nga Grupi Parlamentar i PD-së Sali Berishën, FRPD dhe Belind Këlliçi iu bashkuan Foltores.
Në 11 dhjetor 2021, Belind Këlliçi u zgjodh nga delegatët si drejtuesi i Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, nga ku Lulzim Basha u shkarkua si kryetar i PD.
Gjatë Kuvendit Kombëtar u krijua Komisioni i Rithemelimit të PD, mandati i të cilit zgjati deri në 22 maj, ditën e zgjedhjes së Sali Berishës si kryetar i PD. Këlliçi ishte pjesë e Komisionit të Rithemelimit. Ai gjithashtu drejtoi punimet e Kuvendit Kombëtar të 30 prillit 2022.
35-vjeçari ka studiuar në universitetin Coppin State University për shkenca menaxhimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vitin 2009 është kthyer në Shqipëri. Në përfundim të studimeve është shpallur “Studenti me mesataren më të lartë në diplomim”.