Rektorja e sapozgjedhur i reagon Enver Hasanit, pas akuzave për plagjiat

Ushtruesja e detyrës së rektores, Luljeta Plakolli – Kasumi, ka reaguar ndaj deklaratave të profesorit Enver Hasani, i cili ka akuzuar Plakollin se tema e saj e doktoraturës ishte plagjiat.

Plakolli – Kasumi përmes një reagimi publik ka mohuar akuzat e Hasanit.

“Mbrëmë Enver Hasani në emisionin Pressing, në mes tjerash, ka deklaruar se tema ime e disertacionit është plagjiaturë. Më lejoni të theksoj me gjithë përgjegjësinë time morale, akademike dhe njerëzore që disertacioni im i doktoraturës është vepër e pastër intelektuale e imja; atë e kam produkt të punës sime shumë-vjeçare. I qëndroj mbrapa çdo shkronje që kam shkruar dhe jam e gatshme të përballem me çfarëdo vlerësimi mbi të”, shkruan ajo.

U.d. e rektores ka njoftuar se është duke përgatitur një shkresë për Këshillin e etikës si dhe do të ndërmerr hapat ligjor lidhur me rastin.

“Për ta orientuar drejt debatin, jam në përgatitje e sipër të një shkrese për Këshillin e Etikës që të themelojë një komision profesional me profesorë eminent për të vlerësuar kualitetin dhe qëndrueshmërinë e tezave të disertacionit tim të doktoraturës. Pres që një komision i tillë shumë shpejtë të themelohet dhe ta kryejë këtë detyrë. Në ndërkohë, ne me avokatin tim jemi në diskutime për mundësitë e mia ligjore të mbrojtjes së dinjitetit tim profesional dhe njerëzor”, përfundon ajo.

Sipas Enver Hasanit, tema e doktoratës së Plakollit nuk është “as punim seminarik”.

“Për fat të keq, kam qenë kryetar i komisionit të saj për doktoratë para një viti e gjysmë. Mas tri katër herë, se u lodha, se problem është 3-4 me kontrollu një doktoratë dhe mos me t’i marrë parasysh. Një herë e dy me kolegë, dikur u dorëzova dhe me kërkesën dhe lutjen e dekanit ne e lëshuam me kërkesën që në dosje me pasë një temë tjetër sipas vërejtjeve… Bile unë i thashë ky as punim seminarik nuk është, jo për doktoraturë… Tmerr. Unë jam në universitet prej 87-s, kam pasë rast me ndihmu dhe monitoru në çdo nivel. Pas kërkesës së dekanit, kam besu që do të bëhet një frymë më ndryshe, po kjo ndërhyrje ishte shqetësimi im i parë. E dyta para 3-4 muajsh thanë është duke u bërë një reformë. Disa kolegë më thirrin, më thojnë po don me ma hjek lëndën dhe unë i thashë që kjo është logjikë e rrugës. Kjo më coi mu me këqyrë profilin psikologjik… E këqyra doktoratën e tij për përgjegjësinë penale. Përmbi 50 për qind është plagjiat brutal, e disa autorëve shqiptarë”, tha ai në Pressing të T7.