Sunak flet si kryeministër: Puna për ringritje fillon menjëherë

Rishi Sunak zyrtarisht u emërua në postin e kryeministrit të Britanisë duke zëvendësuar Liz Truss e cila dha dorëheqje javën e kaluar.

Sunak mbajti fjalimin tij të parë në krye të qeverisë britanike, si kryeministër i vendit.

Fjalimin e tij në “Downing Street 10”, ai e mbajti pasi mori mandatin e dhe formalisht nga mbreti Charles III.

“Sapo jam kthyer nga pallati Buckingham dhe kam pranuar ftesën nga madhëria e tij, Mbreti, për të formuar qeverinë nën emrin e tij”, nisi fjalimin Sunak.

“Është ë drejtë që të shpjegoj se përse qëndroj sot këtu para jush si kryeministri i ri”.

Kryeministri i ri deklaroi se në këto momente, Britania po përballet me një krizë të rëndë ekonomike, raporton BBC, transmeton RTKlive.

“Pasojat e Covidit, lufta e Putinit në Ukrainë, ka destabilizuar çmimet në tregun energjetik dhe tregjet e tjera”, tha ai.

Sunak shprehu mirënjohjen e tij për paraardhësen Liz Truss.

“Ajo nuk e kishte gabim që përpiqej të rriste ekonominë në këtë vend dhe e admiroj atë për disa veprime të saj, por disa gabime janë bërë”, tha ajo.

“Jam zgjedhur si lider i partisë sime dhe si kryeministri juaj, që t’i rregulloj ato gabime. E kjo punë, fillon menjëherë”.

Më tej, kryeministri i ri britanik u shpreh se do ta vendos rritjen ekonomike dhe stabilitetin ekonomik, në zemër të agjendës së kësaj qeverie.

“Kjo do të thotë se kemi para vetës vendime të vështira. Por ju më keni parë gjatë pandemisë duke bërë gjithçka që kam mundur, duke mbrojtur njerëzit dhe bizneset me skema të ndryshme”.

Sunak tha se gjithmonë ka kufizime, e tani ato janë më shumë se kurrë.

“Por ju premtoj këtë: Do ta sjell me vete përkushtimin e njëjtë ndaj sfidave, me të cilat po përballemi sot. Do ta bashkoj vendin tonë, jo me fjalë, por me veprime. Do të punoj pandërprerë që kjo Qeveri të sjellë integritet, profesionalizëm e llogaridhënie në secilin nivel”.

Kryeministri i ri britanik deklaroi se besimi fitohet dhe premtoi se do ta fitojë besimin e qytetarëve.

“Gjithmonë do t’i jem falënderues Boris Johnson për arritjet e tij të pabesueshme si kryeministër”.

Në fjalën e tij, kryeministri i ri britanik, foli edhe për përmirësim të sistemit arsimor, shëndetësor e sfera të tjera.

Fjalimi i Rishi Sunak si kryeministër zgjati gati 6 minuta që është më i gjati sesa i kryeministrave të tjerë, përveç atij të Boris Johnson i cili në vitin 2019 foli 11 minuta.