Kurti përpara Escobarit: Kosova mbështeti Ukrainën, për dallim nga të tjerët që nuk u rreshtuan në anën e të drejtës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit që pati me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, njëherësh edhe Zëvendës Ndihmës Sekretar të Shtetit Amerikan, ka thënë se Kosova është rreshtuar përkrah SHBA-së, BE-së e Mbretërisë së Bashkuar për mbështetje ndaj Ukrainës dhe sanksionim ndaj Rusisë.
Kurti këto i deklaroi në konferencën e përbashkët me Escobar në Prishtinë, duke thënë se e mirëpret angazhimin e SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi.

“Rreshtimi i menjëhershëm i Kosovës me SHBA-në, BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar me vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe mbështetja e parezervë për Ukrainën dhe popullin e saj përbëjnë dëshminë e aleancës dhe partneritetit tonë dhe në të njëjtën kohë dallimin me të gjithë ata të tjerët që nuk u rreshtuan siç duket në anën e të vërtetës dhe të drejtës”, deklaroi ndër të tjera ai, duke asociuar në kokëfortësinë e Serbisë për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Kurti ka shtuar se Kosova kërkon një marrëveshje ligjërisht obligative, që në mes ka njohjen reciproke.

“Përmes gatishmërisë për takime, vullnetit për marrëveshje dhe propozimeve konkrete që japim, Republika e Kosovës është treguar se është palë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut. Jemi të gatshëm dhe të përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër”, vijoi më tej kreu i ekzekutivit.

Kurti njoftoi se me Escobarin diskutuan edhe për “rëndësinë dhe peshën e raporteve tana dypalëshe, partneritetin e vendeve tona, progresin dhe reformat në Kosovë, ballafaqimin me krizën energjetike dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.