Gabriel Escobar nesër sërish në Kosovë, takon presidenten Osmani dhe liderët e partive opozitare

Emisari Special i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, nesër do të vij në Kosovë.
Escobar nesër do të vizitojë sërish Prishtinën, dhe i njëjti pritet të zhvillojë disa takime radhazi.

Gabriel Escobar përgjatë qëndrimit të tij në Kosovë do të takojë presidenten Vjosa Osmani.

Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupina.

“Po, presidentja Osmani do të takohet me Emisarin Gabriel Escobar”, tha Kupina.

Po ashtu ai pritet që të zhvillojë një takim me përfaqësuesit e partive opozitare në vend.

Vizita e Gabriel Escobar vie në kohën kur në vend, rajon dhe më gjerë ka zhvillime të shumta në kuadër të politikës.

I njëjti viziton vendin pikërisht disa javë pasi dy të dërguarit e Francës dhe Gjermanisë u takuan me të parët e vendit, ku theksohet të kenë sjellur edhe propozimin frank-gjerman.

Ndryshe kjo është hera e dytë brenda muajve që i angazhuari Special i Presidentit amerikan, Joe Biden, Gabriel Escobar, vjen në Kosovë dhe i njëjti bën bashkë opozitarët.

Herën e kaluar, Escobar ka darkuar me të gjithë krerët e partive opozitare në Kosovë, në rezidencën e ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier.

Asokohe, emisari amerikan erdhi në Kosovë, pak ditë para afatit kur pritej të hynin në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e marrëveshjes për reciprocitet në dokumente dhe targa të Serbisë.

Anipse marrëveshja për dokumentet është duke u zbatuar, ajo e targave të automjeteve mbetet pezull.

Janë vetëm 12 serbë që deri sot kanë ndryshuar tabelat e automjeteve nga ilegale, në targa legale.

Afati i ndryshimit të këtyre targave është ligjërisht deri më 31 tetor, por mbetet të shihet nëse ky afat do të shtyhet edhe më tutje.

Ditë më parë në Kosovë qëndroi edhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lajçak takoi kryeministrin Albin Kurti, si dhe zv/kryeministrin Besnik Bislimi, nga ku u diskutua për zhvillimet në dialog dhe takimin e radhës në mes Kurtit dhe Aleksandar Vuçiq.