Oficerët e hetimeve të Doganës së Kosovës kanë arrestuar një zyrtar doganor në Han të Elezit për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Hetuesit e Doganës, në bashkëpunim me Prokurorinë, pas një hetimi disamujor, sot në orët e hershme të mengjesit, kanë zënë ne flagrancë zyrtarin doganor dhe katër të dyshuar (të gjithë janë dërguar në mbajtje).
Dyshohet se zyrtari i arrestuar në vazhdimësi ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke futur në Kosovë mallra pa pagesën e taksat doganore.
Ky rast është vazhdimësi e politikës së doganës “Zero Tolerancë për keqpërdorim të detyrës dhe korrupcion”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Dogana e Kosovës thekson se në bashkëpunim me autoritetet kompetente do të vazhdojë të ushtrojë kontrolla në kuadër të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj, me qëllim parandalimin e veprimtarive ilegale në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Dogana e Kosovës fton qytetarët të njoftojnë secilin rast të sjelljes joetike të zyrtarëve doganorë në numrin e telefonit 080050095.