Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e ka quajtur të pakuptimtë dhe të paarsyeshëm mungesën e një vlerësimi pozitiv për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ai tha se kanë parë një deklaratë në gjuhë diplomatike dhe të paqartë, por shpreson që deri në fund të vitit të ndryshojë qasja dhe të ketë vendimmarrje.
“Kriteret për liberalizim të vizave janë plotësuar zyrtarisht që nga viti 2018, është konfirmuar në vitin 2019 është konfirmuar edhe dje, pse nuk ka një vlerësim dhe një rekomandim pozitiv që të mos humbet kohë kjo jo vetëm që është frustruese, por kjo është komplet e pakuptimtë dhe e paarsyeshme në ende nuk i kemi marr detajet konkrete se çka janë këto hezitime, kemi parë një deklaratë që është krejtësisht në gjuhë diplomatike dhe të paqartë, por shpresoj shumë që do të ndryshoj shumë si qasje dhe do të ketë një vendimmarrje para fundit të vitit”, tha ai.
Kreu i PDK-së po ashtu ka ftuar Qeverinë e Kosovës të shfrytëzojë momentumin aktual dhe të aplikojë për statusin kandidat për anëtarësim në BE.
Sipas tij, në këtë aspekt kontribuon edhe miratimi i deklaratës për mbështetjen e liberalizimit të vizave dhe statusit kandidat për anëtarësim në BE për Kosovën.
“Si PDK ne e ftojmë Qeverinë dhe e inkurajojmë atë që sa më par të bëjë aplikimin për status të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian meqenëse tash pas rekomandimit pozitiv për Bosnjën dhe Hercegovinën Kosova po mbetet vendi i fundit në rajon jo vetëm pa liberalizim të vizave ende por edhe pa avancim në procesin integrues”, u shpreh Krasniqi.
Këto komente kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i bëri pas takimit me Rrjetin e Partive Liberale të Evropës Juglindore.
Deputetja e Parlamentit Evropian, Svenja Hahn, nga radhët e Partisë Liberale Gjermane, tha se është tejet e nevojshme që të rritet bashkëpunimi me Kosovën.
Duke u shprehur e zhgënjyer se nuk ka një vendimmarrje pozitive për Kosovës sa i takon liberalizmit të vizave, deputetja gjermane shpreson që së shpejti do të ketë rezultate në këtë drejtim.
“Mendoj se ne kemi nevojë për një bashkëpunim më të gjatë dhe më të ngushtë me këtë rajon. Është çështje gjeopolitike, është çështje e identitetit evropian për të punuar së bashku dhe kjo është arsyeja pse jam shumë e zhgënjyer kur mësova se ne nuk kemi ende një arritje në çështjen e liberalizimit të vizave. Edhe unë vetë vij nga politika rinore dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që t’u japim perspektivë sidomos të rinjve të Kosovës. Mendoj se liberalizimi i vizave për Kosovën është një arritje e rëndësishme dhe me të vërtetë shpresoj se do ta kemi këtë së shpejti. Është diçka për të cilën veçanërisht Parlamenti Evropian po punon intensivisht, është një hap shumë i rëndësishëm për t’u afruar më shumë si evropianë, por edhe për Kosovën në rrugën drejt Bashkimit Evropian. E shohim tani që ka shumë lajme pozitive në rajon për bashkëpunim më të ngushtë me Bashkimin Evropian dhe shpresoj vërtet që të vazhdojmë të punojmë në këtë për liberalizimin e vizave dhe ta kemi këtë së shpejti si arritje”, theksoi ajo.
Deputeti i parë shqiptar i Landit të Hamburgut, Sami Musa u shpreh se diaspora duhet ta vazhdojë mbështetjen për Kosovën.
Sa i takon çështjes së liberalizimit të vizave, ai tha se ende nuk e ka të qartë se pse po ka vonesa për këtë çështje.
“Jam i bindur se për të ardhmen kemi me ec në një rrugë të mirë….Ne e kemi një problem me na pyet neve në Kosovë pranojmë direkt por ne nuk vendosin për vete vendosin të tjerët për neve. Unë ende nuk e kam kuptua çka shtyhet kaq gjatë dhe për çka një frikë mund të jetë sepse ne nuk jemi popull me miliardë dhe miliona në krejt qytetet jemi 1.8 milionë …Çka duhet me kuptua edhe Bashkimi Evropian është se edhe ne jemi pjesë e hartës e Evropës jemi brenda, dhe duhet me kuptua atë se pa punuar bashkë edhe Evropa nuk e kemi gjasa të mbajmë këtë forcën që e kemi edhe ekonomikisht edhe njerëzisht”, tha ai.
E gjatë kësaj jave në Kosovë po qëndronRrjeti i Partive Liberale të Evropës Juglindore, nikoqire e të cilëve ishte Partia Demokratike e Kosovës e cila me propozim të saj miratoi edhe Deklaratën për Mbështetjen e Liberalizimit të Vizave dhe Statusit Kandidat për anëtarësim në BE për Kosovën.
Në këtë rrjet po marrin pjesë përfaqësues kryesor liberal nga Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi Maqedonia e Veriut.